21 korrik 2026, Shkup – Ribalanci i buxhetit për vitin 2026 nuk është pasojë e problemeve me financat publike, por përkundrazi paraqet dokument zhvillimor që siguron mjete shtesë për investime kapitale, mbështetje për qytetarët dhe rritje të mëtejshme ekonomike në kushte të pasigurisë së madhe në tregjet botërore, risqeve gjeopolitike dhe presioneve të çmimeve, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në intervistën për Plusinfo.

Qeveria, përmes ribalancit të buxhetit për vitin 2026, siguron stabilitet të financave publike, pagesë të rregullt të të gjitha detyrimeve ligjore të shtetit dhe në të njëjtën kohë rritje të mjeteve për investime kapitale, bujqësi, mbrojtje sociale, arsim, sport dhe zhvillim lokal.

“Ribalanci i buxhetit do të sigurojë pagesë të rregullt të pagave, pensioneve, kompensimeve sociale dhe të gjitha detyrimeve të tjera që shteti ka ndaj qytetarëve të tij. Megjithatë, në kushtet e të ardhurave të qëndrueshme të buxhetit dhe financave publike, tani po përqendrohemi në investimet kapitale. Investimet që po realizohen ditët e sotme në rrugë, hekurudha, energjetikë, arsim, mbrojtje shëndetësore dhe infrastrukturë komunale do të krijojnë aktivitet më të lartë ekonomik, vende të reja pune dhe standard më të mirë jetese”, theksoi ministrja.

Gjatë intervistës, Dimitrieska-Koçoska bëri të ditur se ribalanci është harmonizim ndaj rrethanave të ndryshuara ekonomike dhe detyrimeve të reja ligjore dhe jo rezultat i mungesës së të ardhurave ose cënimit të likuiditetit.

“Nevoja për ribalanc rezulton nga rrethanat e ndryshuara ekonomike gjatë vitit. Zhvillimet gjeopolitike, rritja e çmimeve të energjensave dhe ndryshimet në tregjet ndërkombëtare ndikuan në disa projeksione buxhetore. Si Qeveri e përgjegjshme, detyrimi ynë është që këto projeksione t’i harmonizojmë me kohë me gjendjen reale. Njëkohësisht, ndërkohë kanë rezultuar edhe detyrime shtesë ligjore, kryesisht si rezultat i marrëveshjeve kolektive të nënshkruara, si dhe nevoja për përkrahje shtesë për bujqësinë, mbrojtjen sociale dhe komunat. Megjithatë, ajo që e karakterizon më së shumti këtë ribalanc të buxhetit është përkushtimi ndaj investimeve. Kemi vendosur t’i destinojmë mjetet financiare aty ku ato do të krijojnë vlerën më të madhe të shtuar për ekonominë. Prandaj them se ky nuk është ribalanc krizash, por ribalanc zhvillimor”, theksoi ministrja.

Duke iu referuar debatit parlamentar, ministrja vlerësoi se pranimi i amendamenteve të argumentuara, ndër të cilat edhe ato për përkrahjen e grave që merren me bujqësi, krijimin e linjës nacionale SOS, si dhe për financimin e dy qendrave të strehimit për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, dëshmon se Qeveria mbetet e hapur ndaj propozimeve konstruktive që janë në interes të qytetarëve.

Ajo shtoi se treguesit pozitivë ekonomikë – rritja e PBB-së prej 3.1% në tremujorin e parë, rritja e investimeve të huaja direkte, rritja në sektorin e ndërtimtarisë, shërbimeve dhe eksportit – janë dëshmi se ekonomia maqedonase mbetet stabile dhe se politikat që zbaton Qeveria po japin rezultate. Sipas saj, ribalanci i buxhetit krijon kushte për vazhdimin e ciklit investues, ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume