Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve rutinë në pikën kufitare në Han të Elezit kanë zbuluar mall komercial dhe mjete monetare të padeklaruara.

Sipas njoftimit në automjetin me targa të Maqedonisë së Veriu drejtuesit dhe menaxherit i janë gjetur 29 mijë e 900 euro të padeklaruara. Gjithashtu thuhet se është gjetur edhe një sasi e mallit me natyrë komerciale që nuk është deklaruar.

“Gjatë kontrollit fizik të automjetit është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Tutje thuhet se malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore. “Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë konfiskimin e përqindjes së mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se çdo person ka detyrim ligjor të deklarojë mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore, ndërsa mosdeklarimi përbën kundërvajtje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe ndëshkuese të parapara me ligj.

Gjithashtu thuhet se bazuar në legjislacionin në fuqi për kontrollin e transportit ndërkufitar të parave të gatshme, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore. Mosdeklarimi i mjeteve monetare thuhet se përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të mjeteve monetare dhe zhvillimin e procedurave përkatëse.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume