Strugë – Ka nisur asfaltimi i një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në Strugë, rruga Strugë–Morovishtë (Kolektori Lindor), një investim strategjik që pritet të transformojë hyrjen në qytet, të lehtësojë qarkullimin dhe t’i japë fund kolonave të gjata që prej vitesh kanë shoqëruar hyrjen në Strugë.
Projekti, i konceptuar nga ekipi i arkitektëve të Komunës së Strugës, synon të krijojë një aks modern rrugor që do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe do të krijojë kushte për zhvillimin urban të kësaj zone.
Për realizimin e këtij projekti, Ministria e Transportit kishte ndarë 2.2 milionë euro. Megjithatë, falë një procedure të hapur dhe transparente të prokurimit publik, në tender konkurruan disa kompani, ndërsa oferta fituese e kompanisë MI Trans ishte në vlerë prej 1.2 milionë eurosh. Diferenca prej rreth një milion eurosh është kërkuar të ridrejtohet për realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore në interes të qytetarëve të Strugës.
Përveç investimit të Ministrisë së Transportit, edhe Komuna e Strugës është bashkëfinancuese e projektit. Nga buxheti komunal investohen 9 milionë denarë për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe zëvendësimin e gypave të azbestit, 10 milionë denarë për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, si dhe mjete shtesë për realizimin e ndriçimit publik. Këto investime nuk kanë qenë pjesë e projektit fillestar dhe janë siguruar nga buxheti i komunës për të garantuar një infrastrukturë të plotë dhe afatgjatë.
Kryetari i Komunës së Strugës falënderoi qytetarët që kanë bashkëpunuar në realizimin e projektit.
“Një falënderim i madh për të gjithë qytetarët që pranuan të arrijnë marrëveshje me Komunën dhe, pa asnjë pengesë, i vunë në dispozicion parcelat e tyre për realizimin e këtij projekti. Aktualisht jemi në bisedime edhe me qytetarë të tjerë për fazën e dytë, me qëllim që procedurat të përfundojnë sa më shpejt dhe punimet të vazhdojnë pa vonesa,” deklaroi ai.
Faza e parë e projektit
Segmenti që po ndërtohet në fazën e parë ka një gjatësi prej 600 metrash, nga rrethrrotullimi te Foni deri te rruga Turistike (ish-Apolonia), me një gjerësi prej 35 metrash. Projekti përfshin katër korsi qarkullimi, një brez të gjelbër ndarës, trotuare në të dy anët dhe gjelbërim anësor.
Punimet do të zhvillohen në dy etapa. Etapa e parë përfshin segmentin nga rrethrrotullimi te Foni deri te Çerdhja, ndërsa etapa e dytë, deri te rruga Turistike, do të nisë menjëherë pas përfundimit të së parës, në kuadër të të njëjtit kontraktim.
Pas përfundimit, Kolektori Lindor do të krijojë një hyrje moderne në Strugë dhe do të lidhet me rrugën e re drejt Morovishtit, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin, sigurinë në trafik dhe perspektivën zhvillimore të kësaj pjese të qytetit.