Gashi: Besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent nga Shqipëria, për incidentin me deputetët në kufij
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ka reagur sot lidhur me incidentin e djeshëm me deputetët e VLEN-it në pikën kufitare Qafë Thanë.
“Si Kryetar i Kuvendit, shpreh shqetësimin për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit”, ka shkruar Gashi.
Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, Gashi shton më tej se “besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent, i cili do t’i shërbejë jo vetëm zbardhjes së rrethanave të këtij rasti, por edhe ruajtjes së besimit reciprok, respektit institucional dhe frymës së bashkëpunimit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet tona”.