Ish-kryeministri Nikola Gruevski nuk u arratis për në Hungari nga shtëpia e tij, por nga Ohri, më saktësisht nga hoteli “Royal View” i vendosur në vetë bregun e Liqenit të Ohrit, në orën 02:40 pas mesnate, më 10 nëntor 2018.

Këtë në emisionin “Në Qendër” me Vasko Eftov e pretendon ish-sportisti maqedonas Aleksandar Malenko, i cili pohon se e ka pritë Gruevskin në hotelin e ish-bashkëshortes së tij. Malenko theksoi se Gruevski nga orët e para të mëngjesit ka lëshuar hotelin dhe është nisur për në fshatin Lubanishtë të Ohrit, ku e ka pritur një barkë me motor (skaf) nga ku pastaj ka kaluar në territorin shqiptar Tushemishtë. Sipas tij, kjo zonë kufitare është afër dhe se i është dashur vetëm 2 km të kaloj për të mbërritur në zonën e Pogradecit, ku e ka pritur shoferi i tij me makinën Passat, me të cilën më pas kanë vijuar drejt ambasadës hungareze në Tiranë, përcjell INA.

Malenko pretendon se ai personalisht e ka hapur garazhin e hotelit që të dilte Gruevski, i cili u largua me një makinë “Volkswagen Passat” të cilën e ngiste shoferi i tij, ndërsa në makinë kishte edhe njerëz nga mbrojtja e tij personale. Familja e Gruevskit, bashkëshortja dhe vajzat, mbetën në hotel dhe e vazhduan qëndrimin e tyre.

Gruevski më vonë mbërriti në Budapest të Hungarisë nën rrethana të pasqaruara, pasi paraprakisht kishte kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në Maqedoni u hap një hetim, por kërkush nuk mbajti përgjegjësi.

Sipas Malenkos, Gruevski në Ohrid kishte arritur tri ditë më parë – më 7 nëntor 2018, në mbrëmje, me dy automjete: një automjet të MPB-së nga Drejtoria e Gjashtë – sigurim dhe përgjim, si dhe automjetin e tij privat me shofer dhe sigurim. Gruevski kishte arritur me familjen, ndërsa Malenko i kishte pritë në garazh. Qëndrimi ishte paralajmëruar sipas protokollit nga MPB si mysafirë VIP, pa u treguar saktësisht se për këtë bëhet fjalë, gjë që është procedurë standarde sigurie.(INA)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume