Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka pritur në Ambasadën shqiptare deputetin dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Salih Murat, të cilin e ka uruar për mandatin e tij të ri në Kuvend.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Meidani bëri të ditur se gjatë takimit është biseduar për zhvillimet politike në vend, funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve, si dhe rëndësinë e ruajtjes së kohezionit shoqëror.
“Kënaqësi të pres në Ambasadë deputetin dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Salih Murat, të cilin e urova për angazhimin e ri në Kuvend. Biseduam për zhvillimet politike në vend, funksionimin e institucioneve, përfaqësimin e drejtë të komuniteteve dhe rëndësinë e ruajtjes së kohezionit shoqëror”, ka shkruar Meidani.
Ambasadori shqiptar theksoi se në një shtet multietnik besimi ndërtohet përmes vendimmarrjes përfshirëse dhe përgjegjësisë së përbashkët, duke rikujtuar rolin e Marrëveshjes së Ohrit në garantimin e bashkëvendimmarrjes për çështjet që prekin identitetin, gjuhën, kulturën dhe arsimin.
“Në një shtet multietnik, besimi ndërtohet përmes vendimmarrjes përfshirëse dhe përgjegjësisë së përbashkët. Në vitin 2001, Marrëveshja e Ohrit vendosi një parim të qartë: çështjet që prekin identitetin, gjuhën, kulturën dhe arsimin nuk vendosen mbi një komunitet, por bashkë me të”, theksoi ai.
Sipas Meidanit, mekanizmi i Badenterit nuk duhet të shihet vetëm si një procedurë votimi, por si një instrument që ndërton dhe ruan besimin ndërmjet komuniteteve.
“Shumica qeveris, por nuk mund të vendosë e vetme për atë që prek drejtpërdrejt tjetrin. Prandaj, Badenteri nuk matet vetëm me numrat në sallë, por me besimin që krijon dhe ruan. U dakordësuam se, nëse ky mekanizëm anashkalohet, nuk fitohet thjesht një ligj. Humbet një pjesë e besimit që mban bashkë institucionet dhe komunitetet”, ka deklaruar ambasadori.
Në fund të njoftimit, Meidani i uroi deputetit Salih Murat sukses në mandatin e ri parlamentar, duke vlerësuar përvojën e tij juridike si një kontribut të rëndësishëm për punën e Kuvendit.