Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me pretendimet e opozitës se nuk ka rezultate në bujqësi dhe çfarë tregojnë shifrat, deklaroi:
“Shikoni, unë i dëgjoj më shpesh këto akuza nga opozita, veçanërisht nga koalicioni LSDM-së, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe E Majta (Levica). Paraprakët ishin në pushtet shtatë vite, do t’ju rikujtoj se duket sikur kemi harruar se çfarë katastrofe lanë pas.
Në SHA Ekonomia e Ujërave tre paga me rend nuk u ishin paguar punëtorëve, ndërsa tani pagat dhe kontributet paguhen rregullisht, muaj pas muaji. Akumulimet ishin shndërruar në moçale, përfshirë edhe këtu të Kavadarit, Liqenin e Tikveshit. Konkretisht, për vreshtarët ishte fat nëse arrinin të sigurojnë ujë për ujitjen e pronave të tyre. Sot, falë menaxhimit të përgjegjshëm, kjo nuk është më problem. Në fakt, kjo është një gjë normale, por kur të krahasohet me gjendjen e atëhershme, atëherë ishte problem. Kishte disa paga të papaguara edhe në Pyjet Kombëtare, si dhe borxhe ndaj bujqve për pagesat direkte nga vitet 2020 dhe 2021. Tani po i përfundojmë edhe ato. Me ribalancin e buxhetit do të paguhen plotësisht edhe subvencionet për kultivuesit e kulturave bujqësore dhe për prodhuesit e qumështit për vitin 2025. Ndërkohë, tashmë ka nisur cikli i aplikimeve për subvencionet e pagesave direkte për vitin 2026.
Deri më tani, gjatë dy viteve, janë paguar më shumë se 15 miliardë denarë subvencione direkte për bujqit. Kemi rritje të prodhimit dhe ulje të deficitit kur bëhet fjalë për importin-eksportin e produkteve bujqësore.
Këto janë rezultatet që kemi arritur në këto dy vite, pas katastrofës që trashëguam nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, së cilës tani, në një koalicion të ri, i është bashkuar edhe partia politike E Majta. Ata do të vazhdojnë me këtë mënyrë të të bërit politikë dhe do të përpiqen ta vështirësojnë punën e Qeverisë. Ndërsa ne kemi qëllimin tonë, fokusin tonë dhe prioritetet tona dhe mbi këtë bazë do t’i udhëheqim politikat tona.
Në fund të ditës, qytetarët do të vendosin në zgjedhje. Zgjedhja do të jetë shumë e qartë. Në njërën anë do të jetë koalicioni LSDM, BDI dhe E Majta, ndërsa në anën tjetër koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Qytetarët do të vendosin kujt do t’ia japin votën e tyre.
Nëse vendosin t’ia japin votën koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, reformat dhe projektet do të vazhdojnë. Nëse vendosin ta mbështesin koalicionin e BDI-së, LSDM-së dhe të Majtës, do të keni punë me njerëz nihilistë, do të shihni sërish njerëz që luajnë futboll nëpër zyra, do të shihni se si marihuana bëhet biznes fitimprurës në vend, kontrabanda do të rikthehet, kriminelët do të dalin përsëri në rrugë pasi të lirohen nga burgjet. Ky është dallimi mes njërës dhe tjetrës qeveri.
Do të nënshkruhen marrëveshje që do të përfshijnë tradhti kombëtare për gjithçka, e për çdo gjë. Ajo që ne, si Qeveri, ofrojmë është mbrojtja e dinjitetit, e interesave dhe e prioriteteve të shtetit. Këto janë konceptet që ofron koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, për dallim nga koalicioni i përbërë nga LSDM, BDI dhe E Majta. Përafërsisht kjo është.”