Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria që ai drejton synon të mbahet mend për realizimin e projekteve kapitale dhe jo për premtime të pambajtura, duke paralajmëruar fillimin e afërt të ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, një projekt i paralajmëruar prej dekadash informon Tetovasot.

Në fjalimin e tij, Mickoski tha se shumë shpejt në vend do të jenë aktive gjashtë akse autostradore, duke e cilësuar këtë si një shtysë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Përveç autostradës Shkup-Bllacë, do të punohet edhe në segmentet Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan, përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër, autostradën Prilep-Manastir, si dhe segmentin Bukojçan-Kërçovë”, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se sektori i ndërtimtarisë mbetet një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe se të dhënat e fundit tregojnë një rritje të ndjeshme të aktivitetit ndërtimor.

“Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin prill realizimi në sektorin e ndërtimit është rreth një e treta më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është diçka që nuk është parë në historinë e re të shtetit”, tha ai.

Duke folur për autostradën Shkup-Bllacë, Mickoski kritikoi qeveritë e mëparshme, duke thënë se projekti ishte shndërruar në simbol të premtimeve të parealizuara.

“Me vite të tëra ky projekt u përdor vetëm si premtim para zgjedhjeve. Sot situata është ndryshe. Ne kemi siguruar financimin, kemi nënshkruar kontratat, është përzgjedhur kompania ndërtuese dhe presim që shumë shpejt të nisin punimet në terren, sapo të përfundojë procedura për përzgjedhjen e mbikëqyrësit”, u shpreh kryeministri.

Në fund, Mickoski theksoi se Qeveria do të vazhdojë me investimet kapitale në infrastrukturë, duke shtuar se synimi është të ndërtohen autostrada, rrugë ekspres, hekurudha, shkolla, spitale dhe projekte të tjera që, sipas tij, do të lënë gjurmë afatgjata në zhvillimin e vendit.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume