Tetovasot – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se dëmet e shkaktuara nga stuhia e fuqishme që goditi Shkupin po sanohen nga institucionet kompetente dhe se qytetarët do të kompensohen në përputhje me ligjin.
Ai theksoi se Qeveria nuk i ka lënë asnjëherë qytetarët të përballen të vetëm me pasojat e fatkeqësive natyrore.
“Kjo Qeveri asnjëherë nuk i ka lënë qytetarët të përballen vetë me situata të tilla. Falënderoj institucionet dhe kryetarët e komunave që menjëherë pas stuhisë së fuqishme dolën në terren dhe nisën sanimin e dëmeve. Punimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri bëri të ditur se të gjitha dëmet do të evidentohen nga institucionet kompetente dhe se qytetarët do të dëmshpërblehen sipas procedurave ligjore.
“Dëmet do të konstatohen dhe, në përputhje me ligjin, përvojën dhe praktikën e deritanishme, do të kompensohen nga institucionet kompetente.”
I pyetur nëse Qeveria ka mekanizma për të ndihmuar qytetarët në raste të tilla, Mickoski u përgjigj shkurt:
“Absolutisht, ashtu si në çdo fatkeqësi natyrore.”TS