Para jush qëndron propozimi për shkarkimin e një pjese të ministrave.

Dua t’ju them menjëherë, të gjithë pa përjashtim janë njerëz me dinjitet, njerëz me nderin e tyre dhe mbi të gjitha, njerëz të ndershëm.

Të gjithë ne dhe perceptimin për ne e ndërtojmë me vendimet që marrim. Këta jemi ne, me të gjitha përparësitë, të metat dhe me mënyrën tonë në të cilën I kuptoujmë situatat.

Që nga dita e parë kur e morëm përgjegjësinë, thashë se kjo Qeveri nuk do të jetë qeveri e komoditetit, por qeveri e rezultateve. Nuk do të jetë qeveri në të cilën funksionet do të konsiderohen si e drejtë e fituar, por si detyrim që çdo ditë duhet të ri-meritohet.”

Nuk ishte një slogan politik.

Ishte një parim.

Dhe sot ne tregojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë.

Funksioni nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një qëllim në vetvete.

Funksioni është një mjet me anë të të cilit ju i shërbeni popullit.

Besimi që qytetarët dhanë dy vjet më parë nuk i përket kryeministrit, as ministrave, as ndonjë partie politike.

Ai besim u përket vetëm qytetarëve.

Ne jemi vetëm roje të përkohshëm të këtij besimi.

Dhe prandaj kemi obligim të vetëreflektojmë vazhdimisht.

Të vlerësojmë nëse mund të bëjmë më shumë.

A mund të bëjmë më mire.

A mund ta bëjmë më shpejt.

Një qeveri që pushon së rishqyrtuari vetveten, fillon të stagnojë.

Dhe një qeveri që stagnon, e ngadalëson edhe shtetin.

Qëllimi ynë asnjëherë nuk ka qenë vetëm të qeverisim.

Qëllimi ynë ishte të ndryshojmë.

Të ndryshojmë institucionet, zakonet.

Të ndryshojmë kulturën politike.

Të tregojmë se në Maqedoni përfundimisht mund të ekzistojë një pushtet që nuk do të ketë frikë të marrë vendime, madje edhe kur ato nuk janë të lehta.

Prandaj sot mos e shikoni këtë rikonstruksion si fund të punës së dikujt.

E them këtë sepse qytetarët meritojnë ta shohin qartë dallimin.

Dallimin midis politikës që kënaqet me justifikime dhe politikës që sjell rezultate.

Dallimin midis atyre që premtuan ndryshime dhe atyre që sot për çdo ditë i realizojnë.

Dhe pikërisht për këtë, para se t’i propozoj ministrat e rinj, ndiej obligim t’i falënderohem njerëzve të cilët në periudhën e kaluarme nder, me përkushtim dhe me përgjegjësi i kanë kryer funksionet e tyre.

Për shkak se në këtë Qeveri nuk ekziston harresë për mundin e investuar.

Ekziston respekt ndaj rezultateve.

Dhe ekziston bindja se secili që ndershmërisht ka punuar për shtetin, meriton falënderim.

Një nga mësimet më të rëndësishme që kam mësuar nëpërmjet politikës është se pjekuria e një Qeverie nuk shihet vetëm në atë se si zgjedh njerëz, por edhe në atë se si ndahet nga ata.

Në politikë është shumë lehtë të harrohet.

Është më e lehtë t’ia atribuojmë çdo sukses vetëm momentit aktual dhe çdo sfidë atij që ka qënë para nesh.

Unë nuk do ta bëj atë.

Sepse çdo njeri qëme nder, në mënyrë profesionale dhe me ndjenjë përgjegjësie e ka kryer detyrën e tij meriton respekt.

Sot nuk po ndahemi nga njerëz që nuk kanë punuar.

Përkundrazi.

Sot u jap mirënjohje njerëzve të cilët në rrethana të ndryshme, në dikasterë të ndryshëm dhe me sfida të ndryshme dhanë kontributin e tyre në realizimin e programit për të cilin qytetarët na dhanë besimin.

Edhe ju nga opozita do të flisni me floskula dhe të pavërteta, ndërsa unë me shifra dhe rezultate konkrete.

Zoran Ljutkovit dua t’i falënderohem sinqerisht për punën që e bëri në Ministrinë e Kulturës.

Kur e mori detyrën, dikasteri ishte i ngarkuar me borxhe të trashëguara, mjete të pamjaftueshme dhe institucione që tepër gjatë punuan në pasiguri.

Sot gjendja është thelbësisht ndryshe.

Buxheti për kulturën është rritur nga 768 milionë denarë në vitin 2023 në më shumë se 1 miliard e 70 milionë denarë në vitin 2026.

Buxheti për turizmin është rritur nga 58 milionë në 187 milionë denarë, që paraqet më shumë se trefishim.

Janë paguar borxhet e trashëguara prej 273 milionë denarë, ndërsa janë siguruar 149 milionë denarë shtesë për aktivitete programore, projekte dhe mbështetje të institucioneve kulturore dhe komunave.

Por rezultati më i madh nuk janë shifrat.

Rezultati më i madh është që kultura përsëri u bë prioritet shtetëror.

Që artistët përsëri gjetën partner tek institucionet.

Që trashëgimia kulturore përsëri mori vëmendje të tillë siç meriton.

Dhe për këtë e falënderoj.

Falënderoj edhe Cvetan Tripunovskin.

Dikasteri i bujqësisë ishte një nga më të rëndët që e trashëguam.

Jo vetëm për shkak të situatave në sektor.

Por për shkak të besimit të humbur tek bujqit.

Besim që nuk kthehet me fjalë.

Por me vepra.

Në muajt e parë të mandatit u paguan gati 4 miliardë denarë obligime të mbetura.

Nga korriku i vitit 2024 e deri më sot janë paguar më shumë se 15 miliardë denarë mbështetje financiare.

I dhamë fund praktikës që bujqit me muaj, e madje edhe më shumë se një vit, të presin për subvencionet e tyre.

Nga një sektor që shënonte rënie mesatare prej 4,4 përqind, sot flasim përsëri flasim për rritje.

Por më e rëndësishmja është se shteti përsëri u bë partner i bujkut.

Ky ishte ndryshimi thelbësor.

Falënderoj edhe Igor Fillkovin.

Në Ministrinë e Drejtësisë u përgatitën 33 zgjidhje ligjore reformuese për një periudhë prej vetëm dy vitesh.

Reformat në gjyqësor asnjëherë nuk janë të lehta.

Ato nuk sjellin pikë të shpejta politike.

Por ato e përcaktojnë besimin në shtet.

Dhe prandaj çdo hap i bërë në këtë fushë është hap i rëndësishëm për të ardhmen.

Falënderoj edhe Azir Aliut, i cili udhëhoqi me një nga dikasteret më të ndërlikuar në Qeveri.

Shëndetësia është sistem që çdo ditë sjell sfida të reja.

Është dikaster në të cilin çdo sukses duket i vogël, ndërsa çdo problem duket i stërmadh.

Pikërisht për këtë e çmoj punën e tij dhe përkushtimin e tij.

Falënderoj edhe Fatmir Limanit, i cili me nder dhe me përgjegjësi e kreu mandatin e tij dhe dha kontribut në punën e Qeverisë. Me Fatmirin njihemi një kohë të gjatë, kemi punuar, punojmë dhe do të punojmë.

Të nderuar deputetë,

Këto nuk janë fjalë të një falënderimi formal.

Ky është parim.

Në këtë Qeveri askush nuk fshihet nga historia për shkak se sot përfundon një funksion.

Asnjëri, gjithashtu, nuk do të vlerësohet sipas asaj nëse ka mbetur ose është larguar nga kabineti.

I vetmi kriter do të mbetet ajo që ka lënë pas.

Kjo është kultura politike që duam ta ndërtojmë.

Kulturë në të cilën funksioni nuk është shpërblim.

Nuk është pronë, as e drejtë e fituar përgjithmonë.

Por detyrë e përkohshme.

Detyrë që çdo ditë do duhet të meritohet përsëri.

Dhe pikërisht për këtë sot, me falënderim të sinqertë për punën e tyre, e hapim etapën e radhës.

Jo pse e mohojmë të punuarën.

Por sepse duam mbi atë që është bërë, të ndërtojmë edhe më shumë.

Të nderuar deputetë të opozitës,

Sot do të na bindni se si duhet të udhëhiqet shteti. Por para se të na ndani mësime, shikoni çfarë keni lënë pas vetes.

Shtetin e morëm me institucione të lëkundura, financa publike të dëmtuara, projekte kapitale të bllokuara, besim të humbur te qytetarët dhe ndjenjë se shteti nuk ka më forcë t’i mbrojë interesat e veta. Keni ish-ministra të cilët janë pjesë e strukturës suaj parlamentare, të ngarkuar me skandale dhe dyshime për krim të kryer gjatë kryerjes së funksionit.

Në qeverisjen tuaj tepër shpesh interesat kombëtare viheshin në plan të dytë.

Sillnit vendime për të cilat një pjesë e madhe e qytetarëve konsideronin se ishin në kundërshtim me dinjitetin dhe identitetin kombëtar. Në vend që ta bashkonit shtetin, latë pas ndarje të thella politike dhe shoqërore.

Ndryshimi i emrit kushtetues të shtetit mbetet një nga vendimet politike më kontroverse në historinë më të re.

Ne nuk jemi këtu për ta ndryshuar të kaluarën.

Por jemi këtu që të mos lejojmë të përsëritet.

Prandaj sot po e ndërtojmë shtetin nga themelet. Po e rikthejmë besimin në institucione. Po e stabilizojmë ekonominë. Po investojmë në bujqësi, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë dhe zhvillim lokal. Punojmë çdo ditë që shteti të jetë sërish një vend që vendos me vetëbesim, që mbron interesat e veta dhe që zhvillohet me një drejtim të qartë.

Dallimi mes nesh dhe jush është i thjeshtë.

Ju e shpenzuat besimin që morët.

Ne punojmë çdo ditë për ta merituar sërish besimin e qytetarëve.

Dhe pikërisht për këtë, sot qytetarët le të gjykojnë sipas veprave tona dhe jo sipas fjalëve. Pikërisht për këtë duam të flasim për rezultatet që latë pas dhe për rezultatet që po arrijmë.

Ato janë përgjigjja më e mirë ndaj çdo kritike dhe dëshmia më e fortë e dallimit mes dy politikave dhe dy vizioneve për Maqedoninë.

Në fund, kjo nuk është vetëm një zgjedhje mes dy partive politike. Kjo është një zgjedhje mes dy vizioneve për Maqedoninë.

Njërin vizion epamë. Një vizion ku shteti u dobësua, institucionet u kapën nga interesat partiake dhe besimi i qytetarëve u konsumua. Një vizion ku shumë shpesh interesi personal vihej mbi interesin shtetëror, ndërsa çështjet kombëtare lanë ndarje të thella që i ndiejmë edhe sot.

Vizioni tjetër është ai të cilin po e ndërtojmë sot. Një shtet ku institucionet i shërbejnë popullit, ku puna e ndershme vlerësohet më shumë se privilegji, ku ligji vlen njësoj për të gjithë dhe ku suksesi matet me rezultate e jo me lidhje politike.

Ne nuk kërkojmë që qytetarët të na besojnë në fjalët që themi. Kërkojmë që t’i krahasojnë të dy vizionet. Ta krahasojnë atë që ishte me atë që po ndërtohet sot. T’i krahasojnë vitet e stagnimit me vitet e rindërtimit.

Besoj se Maqedonia meriton më shumë. Meriton një shtet të fortë, dinjitoz dhe të suksesshëm. Një shtet që nuk do të jetojë me të kaluarën, por do ta ndërtojë të ardhmen e tij me punë, ndershmëri dhe përgjegjësi.

Ky është atdheu në të cilin besoj. Kjo është Maqedonia për të cilën punojmë. Dhe kjo është Maqedonia që, së bashku me popullin tonë, do ta bëjmë më të fortë sesa e gjetëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume