Tetovasot – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, njoftoi se ka nisur zbatimi praktik i sistemit të meritës në administratën publike, me synimin që punësimet në sektorin publik të bazohen në kompetencë, integritet dhe meritë, e jo në ndikime politike informon Tetovasot.
Në aktivitetin e organizuar në partneritet me Misionin e OSBE-së në Shkup, u prezantuan Rregullorja për kompetencat e nëpunësve administrativë dhe Udhëzuesi për zhvillimin e intervistave të bazuara në kompetenca.

“Reformat nuk janë të suksesshme kur mbeten vetëm në tekstet ligjore. Ato kanë vlerë vetëm kur zbatohen në praktikë, kur institucionet i përdorin dhe kur qytetarët i ndjejnë përfitimet. Pikërisht për këtë, sistemi i meritës sot fillon të zbatohet në praktikë”, deklaroi ministri Goran Minçev.
Sipas tij, instrumentet e reja do të krijojnë standarde më të qarta për vlerësimin e kandidatëve, do të rrisin transparencën dhe do të ulin subjektivitetin gjatë procedurave të punësimit.

“Sot nuk flasim vetëm për ligje. Flasim për mekanizma konkretë që do t’u mundësojnë institucioneve të zhvillojnë procedura të drejta, transparente dhe objektive të punësimit, të bazuara në njohuri, aftësi dhe integritet”, theksoi Minçev.
Ai shtoi se vizioni i Ministrisë është ndërtimi i një administrate publike ku punësimi dhe avancimi varen nga njohuritë, kompetencat dhe rezultatet e punës.
Nga ana tjetër, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Kilian Val, tha se organizata mbështet plotësisht reformat e Ministrisë.
“Rregullorja e re, udhëzuesi dhe mjetet praktike do të sigurojnë që punësimet të bazohen në kualifikime, provime dhe aftësi, e jo në favorizime politike. Kjo nënkupton më pak hapësirë për ndikime të palejuara, institucione më të forta dhe shërbime më cilësore për qytetarët”, deklaroi ambasadori Val.

Sipas Ministrisë së Administratës Publike, me këto reforma synohet që sistemi i meritës të mos mbetet vetëm parim ligjor, por të zbatohet si standard në çdo procedurë punësimi në administratën publike.TS