Miteva: Nuk do të ketë selektivitet, do të sanksionohet kushdo nëse konstatohet përgjegjësi për rastin e ujit në Gostivar
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se institucionet do të përcaktojnë përgjegjësinë për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar dhe se çdo person apo institucion që rezulton përgjegjës do të sanksionohet, pa asnjë selektivitet informon Tetovasot.
Ajo tha se Qeveria reagoi menjëherë pasi mori informacionet për gjendjen me furnizimin me ujë, duke aktivizuar të gjitha institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Qendrën për Shëndet Publik dhe Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor.
Sipas Mitevës, për të siguruar furnizimin e qytetarëve, Qeveria ka siguruar 50 mijë litra ujë për banorët e Gostivarit dhe kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Ajo theksoi se, krahas masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, po zhvillohen kontrolle inspektuese, po merren mostra të ujit, po kryhen analiza laboratorike dhe po grumbullohet dokumentacioni për të zbardhur plotësisht rastin.
“Nuk do të ketë selektivitet dhe as kompromis kur bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve. Çdo përgjegjësi që do të konstatohet, qoftë institucionale, zyrtare apo individuale, do të sanksionohet në përputhje me ligjin”, deklaroi Miteva.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe të mos bien pre e spekulimeve, ndërsa njoftoi se më shumë detaje mbi situatën do të prezantohen nga ministri i Shëndetësisë, drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik dhe përfaqësues të institucioneve tjera kompetente.Tetovasot