Urim Saliu
Më ka mbetur peng diçka nga fëmijëria, një rrëfim që gjithmonë mundohem ta them, por nuk është e lehtë ta shpjegosh.
Ishte ndoshta e vetmja herë në jetën time kur u josha të vidhja. Në festën e Sveti Bogorodicës, mes lodrave shumëngjyrëshe, tundimi ishte i madh. Po të mos isha rritur me edukatën e rreptë të prindërve të mi, ndoshta do ta kisha provuar. Por ishte e pamundur. Jo vetëm sepse kërkonte mjeshtëri, por sepse para syve më dilnin fytyrat e tyre dhe fjalët që i dëgjoja çdo ditë: “Kjo nuk bën. Atë mos e prek. Atë mos e vidh, se i gjallë nuk kthehesh në shtëpi.” Ato fjalë më ndalnin.
Ajo ishte festa e palës tjetër, një festë fetare ku njerëzit luteshin sipas besimit të tyre. Për ne ishte dita kur kapërcenim murin e madh dhe hynim në një botë tjetër: karusele, lodra, zhurmë, ngjyra e gëzim. Ktheheshim në shtëpi me qese të mbushura dhe mezi prisnim të kalonte një vit për ta përjetuar sërish.
Për të arritur atje duhej të kapërcenim një mur. Sot e di se ai nuk ishte vetëm mur prej guri. Ishte muri që ndante botët tona. Neve na dukej sikur po shkonim jashtë shtetit. Ata na shihnin me dyshim, ne i shihnim si të huaj. Kemi jetuar gjithmonë pranë njëri-tjetrit, por rrallëherë bashkë.
Megjithatë, muri im i vërtetë nuk ishte ai.
Ishte pamundësia për të vjedhur qoftë edhe një lodër.
Më dukej sikur po humbisja diçka që bashkëmoshatarët e mi e bënin me lehtësi. Disa vidhnin sa mundnin. Madje kishte edhe nga ata që i shpallnin heronj, sepse u vidhnin maqedonëve. Vjedhja justifikohej si një hakmarrje e vogël.
Sot, kur thinjat kanë filluar të më pushtojnë flokët, shoh se myslimanë e të krishterë, shqiptarë e maqedonë, nuk kanë më nevojë të kapërcejnë mure për të vjedhur. Vjedhin bashkë. Pa dallim feje, gjuhe apo kombësie.
Dhe sa herë e mendoj këtë, më kujtohet ai fëmijë që nuk pati guxim të merrte as një kukull.
Ndoshta nuk isha i zoti për të vjedhur.
Ose ndoshta isha edukuar për të jetuar me një peng, në vend që të jetoja me një turp.