Barcelona ka shprehur ngushëllimet dhe ka ofruar mbështetje për familjen e një punëtori të ndërtimit, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë punimeve në “Spotify Camp Nou”.
Ngjarja ndodhi gjatë procesit të rindërtimit të stadiumit legjendar, i cili është në rinovim që nga qershori i vitit 2023.
Bota e futbollit dhe komuniteti katalanas janë tronditur nga aksidenti fatal që ndodhi të premten në “Spotify Camp Nou”.
Një punëtor ndërtimi 54-vjeçar, pjesë e ekipit të angazhuar në rinovimin e stadiumit historik të Barcelonës, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Rindërtimi i stadiumit është një nga projektet më të mëdha në historinë e klubit, i cili synon të hyjë në një epokë të re infrastrukturore.
Projekti përfshin një transformim të plotë të objekteve ekzistuese dhe rritjen e kapacitetit të stadiumit në 105 mijë ulëse, duke e mbajtur atë ndër arenat sportive më prestigjioze në botë.
Pas lajmit tragjik, Barcelona publikoi një deklaratë zyrtare për të shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e viktimës.
“FC Barcelona shpreh keqardhjen e thellë për vdekjen e punëtorit që humbi jetën dje në aksidentin në vendin e punës gjatë punimeve të rinovimit në ‘Spotify Camp Nou’”, shkroi Barcelona.
Klubi katalanas theksoi gjithashtu se do të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme gjatë kësaj periudhe të vështirë. Në deklaratë u nënvizua edhe angazhimi personal i presidentit të klubit.
“Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, dëshiron t’i shprehë personalisht ngushëllimet familjes dhe vihet në dispozicion të saj në emër të të gjithë klubit”, thuhet tutje.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Mossos d’Esquadra” konfirmoi se gjykata kompetente dhe Departamenti i Biznesit dhe Punës i Katalonjës janë njoftuar zyrtarisht, në përputhje me procedurat standarde për aksidentet fatale në vendin e punës.
Sipas raportimeve nga Spanja, punëtori ishte duke lyer një pjesë të stadiumit nga një platformë ngritëse kur ndodhi aksidenti.
Ky është rasti i parë me pasojë vdekjeje në kantierin e “Spotify Camp Nou” që nga fillimi i punimeve të rinovimit në qershor të vitit 2023.
Kjo tragjedi rikthen në vëmendje çështjen e sigurisë në vendin e punës në projektet e mëdha ndërtimore në Spanjë.
Rindërtimi i “Camp Nou” është një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të Barcelonës në vitet e fundit.
Projekti ka angazhuar mijëra punëtorë për më shumë se tre vjet, është përballur me vonesa për shkak të lejeve dhe ankesave për kushtet në kantier, ndërsa aktualisht puna është përqendruar në përfundimin e unazës mbajtëse që do të mbështesë çatinë e re të stadiumit.