Kontrollet e përbashkëta kufitare One Stop tashmë funksionojnë në pikat kufitare me Serbinë dhe Kosovën, ndërsa me nënshkrimin e marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë po përmbyllim procesin e vendosjes së këtij sistemi modern me të gjithë fqinjët tanë të cilët nuk janë pjesë e zonës Shengen, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme.

“Me zbatimin e sistemit One Stop, qytetarët përfitojnë një ndalesë të vetme, një kontroll të vetëm kufitar dhe kohë dukshëm më të shkurtër pritjeje, ndërsa shtetet përfitojnë menaxhim më efikas të kufijve, siguri më të madhe, më shumë tregti, turizëm dhe ndërlidhje rajonale.

Rezultatet tashmë janë të dukshme. Në Tabanoc, edhe pse këtë verë numri i udhëtarëve është rritur me 15 deri në 20 për qind, koha e pritjes është ulur ndjeshëm. Të njëjtën gjë e kemi mundësuar edhe në Bllacë – Hani i Elezit, ndërsa me vënien në funksion të sistemit në Jazhincë – Glloboçicë kemi përmbyllur zbatimin e kontrolleve të përbashkëta me Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Marrëveshja e nënshkruar me Republikën e Shqipërisë është hapi i radhës me rëndësi. Së shpejti edhe atje do të vendosim sistemin One Stop, me ç’rast Maqedonia do të bëhet një nga vendet e para në rajon që do të ketë këtë model të kontrolleve të përbashkëta kufitare me të gjitha shtetet fqinje jashtë zonës Shengen.

“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor apo administrativ. Ky është një investim në komunikim më të shpejtë mes njerëzve, bashkëpunim më të fuqishëm ekonomik, lëvizshmëri më të madhe dhe kufij edhe më të sigurt.

Ne vazhdojmë të ndërtojmë një Ministri të Punëve të Brendshme moderne, e cila zbaton zgjidhje evropiane që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe e bëjnë Maqedoninë më të lidhur, më të sigurt dhe më konkurrues”, thuhet në njoftim.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume