Lëvizja Arbëria: Të hetohet dhuna ndaj të rinjëve, Policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo burim frike për ta
Lëvizja Arbëria shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me raportimet për dhunën e pretenduar ndaj dy të rinjve shqiptar nga ana e policisë.
“Çdo qytetar meriton të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me ligjin. Çdo veprim i forcave të rendit duhet të jetë proporcional, i ligjshëm dhe në respekt të të drejtave themelore të njeriut.
Kërkojmë nga institucionet kompetente që të hetojnë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe transparente të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje, përfshirë pretendimet për përdorimin e armës së zjarrit dhe dhunën e ushtruar ndaj dy të rinjve. Nëse vërtetohen shkelje, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Arbëria.
Shqetësim të veçantë thonë nga kjo pari paraqet fakti se, sipas informacioneve që ne kemi, ngjarja ka “nisur” në praninë e disa të miturve, që po prisnin autobusin në stacion.
“Policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo burim frike për ta. Besimi i qytetarëve në institucione ndërtohet përmes ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies.
Lëvizja Arbëria kërkon drejtësi përmes institucioneve dhe zbatimit të ligjit, pa paragjykime dhe pa dallime. Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen për secilin qytetar, pa përjashtim.
Njerëzit që me veprimet e tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve, e aq më tepër të fëmijëve, nuk e kanë vendin në polici. Policia duhet të jetë simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe mbrojtjes së qytetarëve, e jo burim rreziku për ta”, thuhet në fund të reagimit.