Kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, e përshëndeti vendimin e Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESCO‑s, me të cilin Rajoni i Ohrit nuk u fut në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik dhe mori afat shtesë deri më 1 shkurt 2031 për përmbushjen e rekomandimeve. Pecakov vlerësoi se ky vendim është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të pushtetit lokal dhe atij qendror, institucioneve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë, duke theksuar se ai paraqet mundësi të rëndësishme, por edhe përgjegjësi të madhe.
Ai theksoi se Komuna e Ohrit edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë edhe më intensivisht me zbatimin e masave për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Si prioritete i veçoi realizimin e projekteve kapitale ekologjike, planifikimin urbanistik të përgjegjshëm, avancimin e sistemeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe zbatimin e plotë të rekomandimeve të UNESCO‑s.
Sipas Pecakovit, ruajtja e Rajonit të Ohrit është detyrim i përbashkët i pushtetit lokal dhe qendror, institucioneve dhe qytetarëve. Ai shprehu bindjen se përmes koordinimit të mirë, përkushtimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë do të realizohen aktivitetet e nevojshme për mbrojtjen e qëndrueshme të Rajonit të Ohrit si trashëgimi natyrore dhe kulturore botërore.