Policia Financiare zbulon aferën: Dy persona dyshohen se fundosën kompaninë dhe përfituan rreth 1,2 milionë euro
Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj dy personave, të dyshuar se në periudhën 2022–2024, me veprime të kundërligjshme, kanë sjellë me qëllim një person juridik në gjendje të paaftësisë së përhershme për pagesë dhe falimentim.
Sipas Drejtorisë së Policisë Financiare, i dyshuari i parë, Gj.Z., në cilësinë e drejtorit dhe pronarit të kompanisë, së bashku me të dyshuarin e dytë, A.S., kanë vepruar me paramendim për të krijuar një pasqyrë të rreme të pamundësisë financiare dhe kolapsit ekonomik të shoqërisë.
Gjatë kësaj periudhe, ata kanë lidhur kontrata të dëmshme dhe kanë transferuar mjete financiare dhe pasuri të tjera te persona të afërt me të dyshuarin e parë, pa bazë reale juridike ose ekonomike. Po ashtu, drejtori ka shitur pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme të kompanisë me çmime dukshëm më të ulëta se vlera e tregut, pa asnjë arsyetim ekonomik dhe në dëm të kompanisë dhe kreditorëve të saj, transmenton TS.
Me këto veprime, ata kanë nxjerrë në mënyrë sistematike asetet e kompanisë, kanë ulur vlerën e pasurisë së saj dhe kanë pamundësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj kreditorëve. Si pasojë, kompania ka përfunduar në gjendje të paaftësisë së përhershme për pagesë, pas së cilës është hapur procedurë falimentimi.
Nga Policia Financiare bëjnë të ditur se me këto veprime kreditorëve u është shkaktuar dëm në vlerë prej 13.268.816 denarësh, ndërsa të dyshuarit dhe persona në lidhje familjare me ta kanë përfituar 73.538.152 denarë pasuri të kundërligjshme.