Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, merr pjesë në aktivitetet zyrtare të organizuara nga Republika Franceze me rastin e 14 Korrikut – Festës Kombëtare të Francës.
Në kuadër të vizitës, ministri Sali do të marrë pjesë në Takimin e Koalicionit të Vullnetarëve, ku liderët do të diskutojnë për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, koordinimin e përpjekjeve për forcimin e sigurisë evropiane dhe zhvillimet më të fundit lidhur me situatën e sigurisë në kontinent.
Në mbrëmje, ministri Sali do të marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve partnere.
Më 14 korrik, ministri Sali do të marrë pjesë në paradën tradicionale ushtarake të organizuar në Paris me rastin e Festës Kombëtare të Francës, e cila këtë vit zhvillohet nën moton “Zgjimi Strategjik i Evropës”, duke reflektuar përkushtimin e përbashkët për paqe, siguri dhe forcimin e bashkëpunimit evropian.
Pjesëmarrja në këto aktivitete konfirmon partneritetin e ngushtë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Franceze, si dhe përkushtimin e përbashkët për promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropë.





