Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe po ndjek me kujdes zhvillimet lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë në Gostivar.
​Përveç kontrolleve dhe analizave të rregullta institucionale që po kryhen në terren, është marrë vendim për mbështetje urgjente të popullatës. Duke filluar nga sot, në ditët në vijim do të sigurohen në mënyrë intervenuese nga 50.000 litra ujë të pijshëm falas në ditë për qytetarët e Gostivarit, me qëllim plotësimin e nevojave elementare deri në shfuqizimin e masave dhe rekomandimeve.

​Ku do të shpërndahet uji?
​Shpërndarja e ujit do të realizohet nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë (SHPPP) përmes shtatë pikave të caktuara nëpër qytet:
​Ekonomia e Ujërave – Gostivar, rr. “JNA” nr. 139
​Kopshti i fëmijëve “Prolet”, rr. “Beliçica” nr. 47
​SHMEO – Gostivar (Shkolla e Mesme Ekonomike), rr. “Zhivko Brajkovski” nr. 39
​NP Pyjet Nacionali – Ndërmarrja “Shar” Gostivar, rr. “Braqa Gjinovski” nr. 165
​SH.A. ESM – Dega tek garazhet (furra), rr. “Ilindenska”
​Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” – parkingu, rr. “Çede Filipovski” nr. 29
​Njësiti Territorial Kundër Zjarrit – Gostivar, rr. “Beliçica” nr. 35

​Hetime dhe përgjegjësi
​Organet kompetente aktualisht po kryejnë kontrolle intensive, analiza laboratorike dhe veprime hetimore për të përcaktuar saktë shkaqet që çuan në këtë gjendje. Nga Qeveria theksojnë se presin zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa kushdo që do të rezultojë përgjegjës do të ballafaqohet me ligjin.
​Apel për qytetarët: U bëhet thirrje banorëve të Gostivarit që të respektojnë rreptësisht udhëzimet e institucioneve kompetente dhe t’i ndjekin informacionet ekskluzivisht përmes kanaleve zyrtare, me qëllim informimin e saktë dhe në kohë.
​Mbështetja qeveritare me ujë të pijshëm do të vazhdojë deri në normalizimin e plotë të situatës, duke pasur si prioritet kryesor mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume