Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit, dhe ato do të jenë të ndara nga zgjedhjet presidenciale.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se do ta mbaj fjalën e dhënë qytetarëve.
“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Vuçiç.
Në fund të muajit qershor, Vuçiç u tha përkrahësve të partisë së tij se do të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Synimi i Vuçiç është që të sigurojë një mandat të ri qeverisës për partinë e tij, ndërsa vendi është në protesta prej më shumë se një viti.
Ato nisën në vitin 2024, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia nxiti një pakënaqësi të madhe popullore, me akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës.
Ndërsa këtë të premte, kryeparlamentarja Ana Bërnabiç tha se të hënën e 27 korrikut do të përcaktohet seanca e jashtëzakonshme për votëbesimin e qeverisë. Ndryshe parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon drejt kutive të votimit./abcnews.