Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq.

Kamberi bëri të ditur se iniciativës së grupit parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë të opozitës.

“Pra, 53 deputetë të opozitës i kanë dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare që, pa asnjë vonesë, t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj me të cilat arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë”, ka njoftuar Kamberi.

Sipas tij, kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë kombëtare.

Kamberi theksoi se, nëse ky propozim refuzohet, atëherë kryeministri Macut do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të Paunoviqit dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda qeverisë serbe.

Ai shtoi se iniciativa nuk është mbështetur nga partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë.

“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit”, shkroi Kamberi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume