Siriani 75-vjeçar ruajti çelësin e shtëpisë për 12 vjet, por kur u kthye nuk gjeti më derë për të hapur
Ahmet Abbas, 75-vjeçari që jeton në provincën Rakka të Sirisë, përshkroi pamjen me të cilën u përball kur u kthye në fshatin e tij, të cilin u detyrua ta braktiste rreth 12 vjet më parë për shkak të presioneve të organizatës terroriste YPG, duke thënë: “Nuk kishte mbetur as shtëpi, as pemë. Gjithçka ishte djegur dhe shkatërruar. Fjala ‘shkatërrim’ nuk mjafton për ta përshkruar gjendjen”.
Abbas, pasi u kthye pas shumë vitesh në fshatin Salib të Rakka-s, pranë kufirit Siri-Turqi, e gjeti të shkatërruar shtëpinë ku kishte kaluar fëmijërinë dhe ku kishte krijuar kujtime me familjen e tij.
Duke folur për Anadolu ai tha se për vite me radhë ëndrra e tij e vetme ishte të kthehej në shtëpinë e tij, duke shtuar se gjatë rrugës së kthimit kishte menduar se do ta gjente shtëpinë kryesisht të paprekur.
– “E ruajta çelësin e shtëpisë sime për vite me radhë”
“Ëndrra jonë e vetme ishte të ktheheshim në shtëpinë tonë. Mendonim se kur të ktheheshim do ta gjenim shtëpinë siç ishte dhe se do të mjaftonte vetëm ta pastronim dhe ta rregullonim”, tha Abbas duke shtuar se pamja me të cilën u përball shkatërroi të gjitha shpresat e tij.
“E kisha ruajtur çelësin e shtëpisë sime për vite me radhë. Por, gjithçka që kishte mbetur ishin rrënojat dhe mbetjet e derës. Shpresoja të kthehesha me vëllain tim dhe fëmijët e tij dhe të hyja në shtëpinë time, por u përballa me rrënojat e saj”, u shpreh ai.
Duke thënë se nuk kishte mbetur asnjë gjurmë nga pemët e arrave në oborrin e shtëpisë së tij, nën hijen e të cilave kishte qëndruar për vite me radhë, Abbas tha se shkatërrimi që pa në fshat ishte në një përmasë të papërshkrueshme.
Lidhur me përmasat e dëmeve në fshat, Abbas tha: “Shkatërrimi është më shumë se 90 për qind. Shumica e shtëpive janë gërmuar plotësisht dhe janë hedhur në erë me mina”.
– YPG-ja përgjegjëse për shkatërrimin në fshat
Abbas, baba i pesë fëmijëve, fajësoi organizatën terroriste YPG për shkatërrimin e shtëpisë së tij dhe ndërtesave në fshat.
Duke treguar se në të kaluarën në rajon jetonin së bashku njerëz me prejardhje të ndryshme etnike, Abbas tha: “Ne ishim të afërt me kurdët, jetonim së bashku si vëllezër. Kishim marrëdhënie të forta mes nesh”.
Ai tha se gjëja e parë që kërkoi mes rrënojave ishte pasqyra e madhe që i kishte mbetur nga nëna e tij. Abbas nuk mundi t’i mbante lotët teksa tregonte ato momente.
“Pasqyra më kishte mbetur nga nëna ime. Ishte kujtim i nënës dhe babait tim. Kur u ktheva, nuk e gjeta as atë”, tha Abbas duke theksuar se nuk kishte humbur vetëm shtëpinë, por edhe shumë kujtime të mbetura nga familja e tij.
“Nuk ka mbetur as shtëpi, as pemë. Gjithçka është djegur dhe shkatërruar. Fjala ‘shkatërrim’ nuk mjafton për t’i përshkruar ato që kanë ndodhur”, tha Abbas.





