Më 4 Korrik, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Universiteti i Tetovës
pati nderin të mirëpresë një delegacion studentësh shqiptaro-amerikanë nga Universiteti i Harvardit,
të cilët po zhvillojnë një vizitë studimore në trojet shqiptare në kuadër të projektit “Cultural and
Academic Immersion in Albanian Lands”, të organizuar nga Harvard Albanian Students
Association (HASA). 
Delegacioni udhëhiqej nga z. Faton Limani, Senior Lecturer in Leadership në Universitetin e
Harvardit, ndërsa në Universitetin e Tetovës u mirëprit nga Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti,
Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof.
Dr. Salajdin Salihi si dhe drejtuesja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc.
Donika Kamberi.
Gjatë takimit, studentët u njohën me historinë dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, misionin e
tij si dhe me kontributin që universiteti ka dhënë në avancimin e dijes dhe zhvillimin e
përgjithshëm. Po ashtu, ata patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë, gjuhën, kulturën
dhe trashëgiminë kulturore, duke zhvilluar diskutime mbi rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe
fuqizimit të lidhjeve me diasporën.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke konfirmuar përkushtimin e
Universitetit të Tetovës për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e partneriteteve
që promovojnë dijen, dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e përvojave akademike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume