Era e fuqishme që përfshiu dje pasdite Shkupin arriti në një moment shpejtësi deri në 130 kilometra në orë, çka sipas klasifikimit meteorologjik konsiderohet erë uragani. Këtë e bëri të ditur sot Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), duke iu referuar të dhënave të regjistruara nga stacionet automatike meteorologjike në vend njofton INA.

Sipas DPHM-së, në Luginën e Shkupit, në stacionin automatik meteorologjik në Shkup, në orën 16:10 është regjistruar një goditje e erës me shpejtësi prej 130 kilometrash në orë, me drejtim veri-veriperëndim.

Shpejtësi e njëjtë prej 130 kilometrash në orë është regjistruar edhe në stacionin automatik meteorologjik në Novo Sellë të Strumicës, në orën 17:50, me drejtim veriperëndimor.

Era më e fortë në vend është regjistruar në Shtip, ku në orën 17:00 është evidentuar një goditje me shpejtësi maksimale prej 134 kilometrash në orë, me drejtim perëndim-veriperëndim.

“Bazuar në të dhënat nga rrjeti kombëtar i stacioneve automatike meteorologjike, më 21 korrik 2026 u regjistruan vlera jashtëzakonisht të larta të goditjeve të erës, të afërta me rekordet historike. Kjo konfirmon se në disa lokacione të vendit janë regjistruar goditje të erës me fuqi uragani, një fenomen i rrallë dhe shkatërrues meteorologjik”, thuhet në njoftimin e DPHM-së.

Sipas klasifikimit për fuqinë e erës, uragani përkufizohet si erë me shpejtësi mbi 118 kilometra në orë. Bëhet fjalë për një fenomen ekstremisht të fuqishëm, i cili ndodh shumë rrallë në këtë territor dhe mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në shkallë të gjerë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume