Vendi ynë këtyre ditëve do të përballet me një stuhi të motit të ngrohtë, ku temperaturat maksimale do të arrijnë 40 gradë celsius, njoftojnë nga Instituti Hidrometeorologjik. Sipas këtyre të fundit, moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira lokale të lehta deri në mesatare. Temperatura maksimale do të jetë në intervalin prej 31 deri në 39 gradë. Sipas këtij instituti, moti i njëjtë do të jetë deri të hënën me vranësira të lehta deri në mesatare. Sidomos nxehtë do të jetë në ditët e kësaj fundjave kur temperatura ditore lokalisht do të arrijë 40 gradë. Por, ky mot i nxehtë, qytetarëve u shkakton probleme në lëvizje, të cilët për RTVM2 shprehen se nevoja i detyron të dalin.
“Temperaturat janë shumë të ngrohta këtyre ditëve, por prapë po ia dalim disi, po freskohemi me lëngje. Nuk është mirë të dalim, por kur po kemi nevojë është e patjetërsueshme, sepse sikur të mos kisha nevojë, nuk do të kisha dalë nga shtëpia.”, – tha një qytetar.
“Temperaturat janë shumë të larta dhe e rekomandueshme është që të rrimë në shtëpi, por ja kështu, kur nevoja po të detyron, e ke të patjetërsueshme të dalësh, pa marrë parasysh motin. Por, ajo që më intereson është se a thua vallë po i tregojnë temperaturat në mënyrë të drejtë, por këtë nuk e dimë, ndërsa ekziston mundësia që ndonjëherë temperaturat të jenë më të larta, por i tregojnë më të ulëta, dhe ky është problem.”, – tha një qytetar tjetër.
“Varet, kush është i sëmurë nuk ka nevojë të dalë, por për njerëzit e shëndoshë, por edhe për mua nuk është problem, sepse unë në këtë kohë tash e 25 vite dal vazhdimisht, pra varet se si e ke situatën.”, – theksoi një qytetar.
Por, mjeku i Ndihmës së Shpejtë, Rihad Rexhepi, për TVM2 është shprehur se Ndihma e Shpejtë dukshëm ka rritur numrin e intervenimeve.
“Çdo ndryshim temperature, qoftë temperaturë e ulët apo temperaturë e lartë, kemi rritje të thirrjeve, por edhe të intervenimeve nga ana e Ndihmës së Shpejtë, e ku si thirrje më të shpeshta i kemi personat të cilët janë kategori e rrezikuar apo me sëmundje kronike. Më të shpeshta janë variacionet e tensionit arterial, e ku kësaj periudhe më së shpeshti kanë shtypje të ulët, e cila ndikon që t’u përkeqësohet gjendja aktuale, e cila përcillet me simptoma zakonisht si marramendje, plogështi, lodhje.”, – theksoi mjeku i Ndihmës së Shpejtë, dr. Rihad Rexhepi.
Mjeku Rexhepi po ashtu rekomandon që gjatë orëve të mesditës, sipas mundësisë, qytetarët të mos dalin për gjatë kohë në diell, ndërsa obligimet të cilat i kanë, mundësisht t’i lënë për orët e pasdites. Po ashtu rekomandon që të qëndrohet në ambiente të klimatizuara dhe të përdorin lëngje.