Toshkovski nga Gostivari: Shteti ka vënë në funksion të gjitha kapacitetet për tejkalimin e krizës, rasti do të zbardhet plotësisht dhe do të ketë përgjegjësi
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot, si pjesë e delegacionit qeveritar, së bashku me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtorin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, dhe zëdhënësen e Qeverisë, Marija Miteva, qëndroi në Gostivar, ku u zhvilluan aktivitete për koordinimin e institucioneve dhe ndërmarrjen e masave për tejkalimin e situatës së shkaktuar nga ndotja e sistemit të furnizimit me ujë në komunë.
Toshkovski theksoi se Qeveria, menjëherë pas rekomandimit të Grupit për Vlerësim, mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në territorin e Komunës së Gostivarit, me qëllim që të vihen në funksion të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe kapacitetet profesionale për normalizimin sa më të shpejtë të situatës.
“Shteti është angazhuar me të gjitha kapacitetet e tij, sepse prioriteti ynë është të normalizojmë sa më shpejt situatën dhe të sigurojmë ujë të sigurt për qytetarët. Në terren tashmë punojnë ekipe ekspertësh që kryejnë analiza të detajuara të sistemit të furnizimit me ujë dhe marrin mostra në disa lokacione. Nuk do të nxjerrim përfundime të nxituara, por do të veprojmë ekskluzivisht në bazë të analizave profesionale dhe rekomandimeve të ekspertëve”, deklaroi Toshkovski.
Ai theksoi se deri në përfundimin e plotë të analizave dhe konfirmimin nga institucionet kompetente se uji është i sigurt, qytetarët duhet t’u përmbahen me përpikëri rekomandimeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe autoriteteve shëndetësore.
“Nuk do të spekulojmë dhe as nuk do të japim vlerësime se kur uji do të mund të përdoret sërish. Qytetarët do të informohen me kohë sapo ekspertët të përfundojnë analizat dhe të konfirmojnë se janë plotësuar të gjitha kushtet për përdorim të sigurt. Në këtë moment është e rëndësishme vetëm të respektohen rekomandimet e institucioneve kompetente, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt”, theksoi ministri.
Lidhur me procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë, Toshkovski informoi se Ministria e Punëve të Brendshme po vepron në koordinim të plotë me Prokurorinë Publike.
“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të sigurojë intensivisht prova, ndërsa Prokuroria Publike e udhëheq procedurën në përputhje me kompetencat e saj ligjore. Për secilin ndaj të cilit do të konstatohet përgjegjësi do të veprohet sipas ligjit, pa asnjë përjashtim”, deklaroi Toshkovski.
Delegacioni qeveritar theksoi se do të vazhdojë ta ndjekë situatën dhe të ofrojë mbështetje të plotë institucionale deri në tejkalimin e plotë të krizës.