Ndërtimi i autostradës Kërçovë–Ohër pritet të përfundojë deri në maj të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski.
Në një intervistë për TV Sitel, Trajanovski tha se që nga viti 2024 është shënuar përparim i konsiderueshëm në realizimin e projektit. Sipas tij, nga gjithsej 57 kilometra të autostradës, rreth 37 deri në 38 kilometra tashmë janë lëshuar në përdorim.
Ai njoftoi se punimet po vazhdojnë me intensitet në pjesën e mbetur të trasesë dhe se segmenti nga Izvori, përmes tunelit deri në Vërbjani, pritet të vihet në funksion deri në fund të tetorit.
“Afati për përfundimin e plotë të autostradës në maj të vitit të ardhshëm mbetet i pandryshuar”, deklaroi Trajanovski.
Sipas tij, projekti po realizohet në përputhje me dinamikën e paraparë në kuadër të kredisë së tretë për ndërtimin e autostradës. Ai shtoi se në fazën përfundimtare janë përfshirë edhe zgjidhje të reja teknike për ndërtimin e galerive mbrojtëse, të cilat nuk ishin parashikuar në projektin fillestar.
Trajanovski bëri të ditur se vlera totale e autostradës Kërçovë–Ohër, e financuar përmes tre kredive, pritet të arrijë rreth 800 milionë euro.