Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për rritjen e rasteve të virusit të Nilit Perëndimor në disa vende evropiane, ndërsa u ka bërë thirrje banorëve dhe turistëve që të marrin masa për t’u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave.

Mushkonjat infektohen pasi ushqehen me gjakun e shpendëve që mbartin virusin dhe më pas mund ta transmetojnë atë te njerëzit dhe kafshët e tjera.

Aktualisht nuk ekziston një vaksinë e licencuar për njerëzit dhe as ndonjë ilaç antiviral specifik. Trajtimi përqendrohet në lehtësimin e simptomave, ndërsa rastet e rënda, në të cilat preket sistemi nervor qendror, kërkojnë kujdes mbështetës në spital.

Sëmundja e rëndë mund të shkaktojë temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, çorientim, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore, paralizë ose gjendje kome.

Sipas të dhënave të OBSH-së për Evropën, Greqia ka regjistruar rritjen më të madhe të rasteve gjatë javëve të fundit. Deri më 22 korrik janë konfirmuar 21 raste te njerëzit, 14 prej të cilave vetëm gjatë javës së fundit.

Njëzet nga 21 pacientët kanë zhvilluar forma neuroinvazive të sëmundjes, përfshirë encefalitin dhe meningjitin, ndërsa 13 prej tyre vazhdojnë të jenë të shtruar në spital.

Italia ka shtrirjen më të gjerë gjeografike të infeksionit. Deri më 15 korrik, atje ishin konfirmuar 21 raste në 17 zona të ndryshme.

Raste të transmetimit lokal janë raportuar gjithashtu në Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë, me nga dy raste në secilin vend.

Shumica e njerëzve infektohen nga pickimi i një mushkonje që mbart virusin. Në raste të rralla, transmetimi është dokumentuar edhe përmes transplantimit të organeve, transfuzionit të gjakut, shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji. Nuk është regjistruar transmetim nga një person te tjetri përmes kontakteve të zakonshme.

“Për shumicën e njerëzve, rreziku mbetet i ulët. Megjithatë, kushdo që jeton ose udhëton në një zonë të prekur duhet të marrë masa bazë për të shmangur pickimet e mushkonjave dhe të njohë shenjat e sëmundjes së rëndë”, njoftoi OBSH-ja.

Në Evropë, shumica e infektimeve ndodhin gjatë sezonit të mushkonjave, nga fundi i pranverës deri në vjeshtë. Periudha me transmetimin më të lartë zakonisht shtrihet nga korriku deri në shtator.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Henri P. Kluge, deklaroi se virusi i Nilit Perëndimor nuk është një kërcënim i ri, por kushtet që mundësojnë përhapjen e tij po ndryshojnë me shpejtësi.

“Temperaturat më të larta dhe verat më të gjata u japin mushkonjave më shumë kohë dhe hapësirë për ta transmetuar virusin. Shumica e infektimeve janë të lehta, por afërsisht një në 150 persona të infektuar zhvillon një formë të rëndë që prek sistemin nervor qendror dhe mund të rrezikojë jetën”, tha Kluge.

Ai theksoi se masa të thjeshta, si mbulimi i trupit, përdorimi i preparateve kundër mushkonjave dhe largimi i ujit të ndenjur pranë shtëpisë, mund ta zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun.

Shumica e të infektuarve nuk kanë simptoma

Rreth 70 deri në 80 për qind e personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk shfaqin asnjë simptomë.

Tek ata që kanë simptoma, mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella dhe, në disa raste, skuqje të lëkurës ose ënjtje të nyjeve limfatike.

OBSH-ja këshillon që personat të cilët zhvillojnë simptoma pasi janë kthyer nga një zonë ku virusi është në qarkullim të kërkojnë kujdes mjekësor sa më shpejt. Në rast të temperaturës së lartë, skuqjes së lëkurës, ngurtësimit të qafës apo simptomave neurologjike, ndihma mjekësore duhet kërkuar menjëherë.

Infeksioni mund të konfirmohet përmes analizave laboratorike, përfshirë zbulimin e antitrupave specifikë ose të materialit gjenetik të virusit.

Si të mbrohemi nga pickimet?

OBSH-ja u rekomandon qytetarëve:

Të veshin rroba me ngjyra të çelëta, mëngë të gjata dhe pantallona që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit.
Të përdorin preparate të miratuara kundër mushkonjave, duke respektuar udhëzimet e prodhuesit.
Të kufizojnë qëndrimin jashtë në agim dhe në muzg, kur mushkonjat janë më aktive.
Të vendosin rrjeta në dritare dhe dyer, si dhe mbi shtretër dhe djepat e foshnjave.
Të largojnë ujin e ndenjur nga vazot, enët, kontejnerët dhe hapësirat përreth shtëpisë.
OBSH-ja u ka kërkuar gjithashtu vendeve evropiane të forcojnë mbikëqyrjen e mushkonjave dhe të informojnë më mirë publikun për masat parandaluese.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume