Një yll i Kupës së Botës ka njoftuar menjëherë se nuk do të luajë më për kombëtaren e tij sa kohë që trajneri aktual do të mbetet në detyrë, përmes një deklarate bombastike në rrjetet sociale.

Senegali u kualifikua në fazën e 1/16 së finales si kombëtarja e fundit që kaloi nga vendi i tretë dhe u përball me Belgjikën në raundin e parë me eliminim direkt.

Skuadra e drejtuar nga Pape Thiaw ishte në epërsi 2-0 në stadiumin “Lumen Field” në Seattle falë golave të Habib Diarras dhe Ismaila Sarrit.

Megjithatë, Belgjika përmbysi gjithçka në fund të ndeshjes.

Romelu Lukaku shënoi në minutën e 86-të për të ngushtuar rezultatin, ndërsa Youri Tielemans realizoi golin e barazimit pak para kohës shtesë.

Më pas, Tielemans shënoi edhe golin e fitores në minutat shtesë të vazhdimeve, duke e kthyer me qetësi në gol një penallti të akorduar pas rishikimit nga VAR-i, i cili konstatoi se ai ishte fauluar teksa tentonte të arrinte një krosim në shtyllën e parë.

Belgjika siguroi një përballje në 1/8 e finales me bashkëorganizatorët, SHBA-në, ndërsa Senegali u eliminua.

Menjëherë pas eliminimit, “Luanët e Terangës” u tronditën nga vendimi i njërit prej lojtarëve të tyre për t’i dhënë fund karrierës me kombëtaren.

Pas humbjes, mesfushori i Villarrealit, Pape Gueye, publikoi një deklaratë befasuese, ku konfirmoi se nuk do të luajë më për Senegalin për sa kohë që Pape Thiaw dhe stafi i tij do të jenë në krye të ekipit.

Në “Instagram Story”, Gueye shkroi: “Do të flas më vonë për detajet e eliminimit aktual nga turneu, por për momentin dua të deklaroj se nuk do të luaj për Senegalin me stafin aktual”.

I lindur në Francë, Gueye debutoi me Senegalin në vitin 2021 dhe deri më tani ka zhvilluar 45 ndeshje me kombëtaren.

Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi për herë të parë Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2021 dhe u nderua nga presidenti i atëhershëm i vendit, Macky Sall, me titullin prestigjioz “Oficer i Madh i Urdhrit Kombëtar të Luanit”.

Në fillim të këtij viti, Gueye shënoi atë që mendonte se ishte goli i fitores në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës kundër Marokut, duke realizuar në vazhdime.

Megjithatë, dy muaj më vonë, Maroku u shpall fitues me rezultat zyrtar 3-0 dhe kampion, pasi Senegali ishte larguar nga fusha në shenjë proteste për një vendim të arbitrit lidhur me një penallti.

Trajneri Thiaw kishte urdhëruar lojtarët e tij të largoheshin nga fusha dhe ata u rikthyen vetëm pas një ndërprerjeje prej rreth 17 minutash.

Aktualisht, Senegali është duke apeluar vendimin e marrë nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF).

Gueye shënoi dy gola në fitoren 5-0 të Senegalit ndaj Irakut, që siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt, por duket qartë se ai ka pakënaqësi me mënyrën se si po drejtohet kombëtarja.

Thiaw është në krye të Senegalit që nga dhjetori i vitit 2024 dhe, sipas “BBC”, kontrata e tij fillestare ishte me vlerë rreth 210 mijë funte në vit.

Ai udhëtoi drejt SHBA-së mes një mosmarrëveshjeje për një kontratë të përmirësuar, çështje në të cilën ndërhyri edhe presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye.

Në fund, Thiaw nënshkroi një kontratë të re me pagë prej 480 mijë funtesh në vit, si dhe një bonus vjetor prej 80 mijë funtesh.

Përgatitjet e Senegalit për Kupën e Botës nuk ishin aspak ideale, pasi lojtarët dhe stafi ishin të pakënaqur për shkak të shpërblimeve të papaguara, të cilat u transferuan vetëm pasi qeveria miratoi fondet.

Thiaw e cilësoi humbjen si “mizore”, duke qenë se skuadra e tij kishte qenë në avantazh 2-0, por pranoi se ekipi hasi vështirësi përballë rikthimit të Belgjikës.

“Besoj se luajtëm mirë,” deklaroi ai.

“Është gjithmonë më e lehtë të flasësh pas një fitoreje. Duhet të analizojmë çfarë ndodhi, të identifikojmë ku mund të përmirësohemi dhe të mësojmë nga ajo që nuk funksionoi, në mënyrë që të jemi më të përgatitur për garën e ardhshme”, shtoi ai.

Aktualisht, Senegali renditet në vendin e 18-të në renditjen botërore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume