Zjarr në Momin Potok! Banorët akuzojnë EVN-në: E lëshuan rrymën pa i riparuar kabllot e këputura dhe banderat e rrëzuara
Një zjarr ka shpërthyer sot në mesditë në Momin Potok, në hyrje të Shkupit, si pasojë e kabllove elektrike të këputura që kishin mbetur në tokë që nga stuhia e fuqishme e disa ditëve më parë.
Banorët, bizneset dhe bujqit e zonës thonë se për tri ditë me radhë kanë paralajmëruar se banderat e rrëzuara dhe kabllot e këputura përbënin rrezik serioz për jetën e njerëzve dhe për shpërthimin e një zjarri. Sipas tyre, pavarësisht ankesave të shumta, EVN-ja kishte ndërprerë vetëm njërën fazë të energjisë elektrike, pa i sanuar dëmet në terren.
Habia më e madhe, sipas banorëve, është se mbrëmë energjia elektrike është rikthyer pa u riparuar banderat e rrëzuara dhe kabllot e këputura. Vetëm pak orë më vonë, sot në mesditë, kabllot kanë shkaktuar zjarr, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te bujqit dhe bizneset që ndodhen në këtë zonë.
Banorët bëjnë të ditur se rreziku ishte evident prej ditësh dhe se nga kabllot e këputura ka pësuar edhe një dhelpër, çka dëshmon se ato kanë qenë të rrezikshme jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët.
Pamjet që posedon redaksia tregojnë momentet e zjarrit, kabllot elektrike të këputura në tokë dhe banderat e rrëzuara, të cilat sipas banorëve, nuk u sanuan me kohë nga EVN-ja, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme.