Evropa Perëndimore po përballet me një nga krizat më të rënda të zjarreve pyjore të viteve të fundit. Franca dhe Spanja vazhdojnë betejën me flakët, ndërsa mijëra zjarrfikës dhe ekipe emergjente po punojnë pa ndërprerje për të mbrojtur banorët dhe për të frenuar përhapjen e zjarreve.
Situata më kritike mbetet në jugperëndim të Francës, në rajonin e Gironde, ku zjarri ka djegur rreth 42 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe vazhdon të përparojë drejt zonës së Bordosë.
Flakët ndodhen rreth 15 kilometra nga periferia e qytetit, ndërsa autoritetet kanë evakuuar mbi 220 mijë banorë vetëm në këtë rajon. Zjarrfikësit francezë për të parandaluar përhapjen e zjarrit po i presin pemët.
“Strategjia është të priten sa më shumë pemë që të krijohet korsi e gjerë për parandalimin e zjarrit. Kjo na mundëson që të pozicionojmë kamionët tonë dhe të krijojmë të ashtuquajturën vijë mbështetëse, pra mundëson uljen e intensitetit e zjarrit dhe parandalon zgjerimin e së njëjtës.”, – tha një zjarrfikës.
Presidenti Emmanuel Macron zhvilloi sot mbledhje urgjente të kabinetit të krizës, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve mbetet prioritet absolut. Edhe Spanja vazhdon të përballet me një situatë jashtëzakonisht të rëndë.
Zjarret më të mëdha janë aktive në provincën Ávila, në veriperëndim të Madridit, si dhe në Castellón.
Deri tani janë djegur mbi 77 mijë hektarë, ndërsa që nga fillimi i vitit zjarret kanë shkrumbuar mbi 150 mijë hektarë, gjashtë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mbi 76 mijë persona janë evakuuar dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi për shkak të tymit. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se vendi po përballet me një emergjencë të paprecedentë dhe kërkoi mobilizim të plotë të institucioneve.
Në ndihmë të Francës dhe Spanjës është aktivizuar Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile. Greqia, Italia, Portugalia, Zvicra, Turqia dhe vende të tjera kanë dërguar avionë zjarrfikës, helikopterë dhe ekipe specializuese për të mbështetur operacionet. Kushtet atmosferike janë përmirësuar përkohësisht, por meteorologët paralajmërojnë se një valë e re e të nxehtit me temperatura deri në 40 gradë Celsius pritet gjatë ditëve në vijim, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarreve.