Rikthehet arkitekti i kampionëve, Ismail Ismaili merr drejtimin e U16: “Objektivi im është të krijoj futbollistë për ekipin e parë”
Akademia e Shkëndijës i ka besuar një emër të dëshmuar drejtimin e skuadrës U16. Trajneri Ismail Ismaili është emëruar në krye të kësaj gjenerate, duke zëvendësuar Agron Memedin, ndërsa rikthehet për herë të dytë në drejtimin e këtij brezi të talentuar informon Tetovasot.
Bëhet fjalë për një trajner që e njeh në detaje këtë gjeneratë. Dy vite më parë, Ismaili e drejtoi ekipin për një gjysmë sezoni, duke lënë gjurmë me rezultate shumë pozitive dhe një stil loje atraktiv, ofensiv e spektakolar, ku Shkëndija ishte sinonim i futbollit sulmues dhe i golave të shumtë.
Emërimi i tij vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku Ismail Ismaili u shpall kampion me Shkëndijën U16, duke konfirmuar edhe një herë cilësitë e tij si një nga trajnerët më të suksesshëm të akademisë kuqezi.
Rikthimi i tij në krye të kësaj gjenerate shihet si një vazhdimësi e projektit të klubit për zhvillimin e talenteve dhe përgatitjen e futbollistëve që nesër do të trokasin në dyert e ekipit të parë.
Ismail Ismaili: “Shkëndija ka talent, ne duhet ta zhvillojmë”
Pas emërimit, trajneri Ismaili u shpreh i lumtur për besimin e marrë.
“Është kënaqësi të rikthehem te kjo gjeneratë, sepse e njoh mirë potencialin e këtyre futbollistëve. Shkëndija gjithmonë ka pasur talente dhe detyra jonë është t’i zhvillojmë sa më shumë, jo vetëm për të fituar ndeshje, por për t’i përgatitur për ekipin e parë. Do të vazhdojmë me futboll sulmues, disiplinë dhe punë të përditshme. Besoj se kjo gjeneratë ka shumë për të dhënë dhe do të punojmë maksimalisht që ta arrijë potencialin e saj,” deklaroi Ismail Ismaili.
Me këtë emërim, Shkëndija vazhdon t’u besojë trajnerëve që kanë dëshmuar vlera dhe kanë sjellë trofe, me synimin që akademia të mbetet burimi kryesor i futbollistëve për të ardhmen e klubit.TS
