Partia e djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka kërkuar deportimin e më shumë se një milion refugjatëve, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar.

Thirrja u bë nga bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel, gjatë një debati në parlamentin gjerman, vetëm pak ditë pas fitores së AfD-së në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt.

Weidel deklaroi se rezultati zgjedhor ishte një mesazh i qartë i votuesve për një ndryshim të politikave të emigracionit dhe akuzoi qeverinë se po lejon hyrjen e qindra mijëra migrantëve përmes sistemit të azilit.

Sipas saj, personat të cilëve u është refuzuar azili duhet të largohen nga Gjermania. Ajo e lidhi gjithashtu emigracionin me rritjen e krimit, duke përmendur sulmet me thikë, veprat e dhunshme dhe seksuale dhe problemet në hapësirat publike.

AfD, e cila shënoi një rezultat rekord në zgjedhjet rajonale të së dielës, po e përdor fitoren për të shtuar presionin ndaj qeverisë gjermane për një politikë më të ashpër ndaj emigracionit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume