Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë pas aktgjykimit dënues të Hagës prej 81 vitesh burgim ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratë thuhet se një aktgjykim i tillë nuk mund të rishkruajë historinë e një populli të tërë dhe të barazojë viktimën me agresorin, transmeton Klankosova.tv.
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë për emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova e ka quajtur turp vendimin e Gjykatës Speciale.
“Nuk dua të merrem me pjesën e viteve të dënimit të padrejta, por dua të merrem me turpin e shkruar në aktgjykim i cili mundohet të ndërtojë një tablo krejtësisht tjetër të historisë së lavdishme të UÇK-së. Në emër të ashtuquajtur të popullit të Kosovës, një trio gjyqtarësh të huaj, marrin për bazë raportin e shkruar shumë vite më parë, pothuajse 20 vite më parë nga një përfaqësues rus, dhe këtë material aspak të vërtetë, dalin e lexojnë pas 20 vitesh si një aktgjykim”.
“Të thuash se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krijuar me qëllimin e një ndërmarrjeje kriminale, për të marrë pushtetin në Kosovë, dhe të thuash që komandantët, të thuash që gjaku i ushtarëve të UÇK-së të rënë në betejë për çlirimin e Kosovës është ndërmarrje kriminale, këtu kuptohet fare thjeshtë që kemi të bëjmë me një trillim, me një përpjekje për të rishkruar historinë e Kosovës, prandaj duhet ta kuptojmë që historia e Kosovës është e lidhur ngushtë me UÇK-në, pa UÇK-në nuk do të kishte ardhur liria, duke nënvizuar faktin që ishte UÇK-ja ajo që filloi çlirimin, e më pas çlirimi erdhi patjetër me mbështetjen e fuqishme të NATO-s”, tha deputeti shqiptar në Klan Kosova.