Durmishi: Maqedonia e Veriut është platformë e prodhimit dhe eksportit për tregjet evropiane dhe rajonale
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi mori pjesë në Forumin e Dytë Ndërkombëtar Investues të Azerbajxhanit – AIIF 2026, në panelin “Rebuilding Trust in a Fragmented World: Azerbaijan as a Strategic Gateway Between Regions”, ku theksoi se në kushtet e pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike globale, Maqedonia e Veriut po ndërton rritjen ekonomike përmes investimeve, reformave strukturore, sigurisë energjetike dhe thellimit të integrimit rajonal dhe evropian.
“Në kohë pasigurie globale, nuk duhet të tërhiqemi nga cikli i investimeve. Përkundrazi, duhet të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, energjetikë, digjitalizim, kapital njerëzor dhe kapacitete prodhuese”, porositi Durmishi.
Ai para investitorëve theksoi pozitën gjeografike të vendit në Korridoret 8 dhe 10, zonat industriale, industrinë e zhvilluar automobilistike dhe qasjen në më shumë se 650 milionë konsumatorë përmes marrëveshjeve tregtare.
“Mos e shikoni Maqedoninë e Veriut vetëm si treg të vogël vendor. Konsiderojeni atë si platformë të prodhimit, eksportit dhe rajonale”, theksoi ministri.
Durmishi theksoi se prioriteti i Qeverisë është tërheqja e investimeve me vlerë të shtuar më të lartë, të cilat sjellin teknologji dhe njohuri të reja, hapin vende pune me paga më të mira dhe lidhin kompanitë vendore me zinxhirët globalë të vlerës.
Lidhur me lëvizjet ekonomike, ministri theksoi se ekonomia në tremujorin e dytë të vitit 2026 shënoi rritje prej 4,3 për qind, gjë që, siç theksoi ai, është sinjal shtesë për rezistencën dhe potencialin e ekonomisë së Maqedonisë.