Për vite me radhë, rekomandimet zyrtare kanë sugjeruar se rreth 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar në javë, si ecja e shpejtë, mund të sjellin përfitime të ngjashme shëndetësore me 75 minuta aktivitet më intensiv, si vrapimi apo çiklizmi.
Por kërkimet e fundit po e vënë këtë ide në pikëpyetje, duke sugjeruar se edhe periudha shumë më të shkurtra të ushtrimeve intensive mund të kenë efekte të fuqishme në shëndet dhe jetëgjatësi.
Madje, sipas disa studimeve, vetëm pak minuta aktivitet me intensitet të lartë mund të japin përfitime të konsiderueshme.
Një studim i publikuar së fundmi në International Journal of Behavioral Nutrition and Physical Activity analizoi të dhënat e më shumë se 147 mijë të rriturve të moshës 40 deri në 74 vjeç, të cilët mbanin pajisje për monitorimin e aktivitetit fizik.
Studiuesit më pas i krahasuan këto të dhëna me historikun shëndetësor të pjesëmarrësve gjatë tetë viteve në vijim.
Siç pritej, 150 minuta aktivitet fizik i moderuar në javë u shoqëruan me rrezik më të ulët të vdekjes gjatë periudhës së studimit.
Megjithatë, studiuesit zbuluan se vetëm rreth 12 minuta aktivitet fizik intensiv në javë lidhej me një ulje të ngjashme, rreth 30 për qind, të rrezikut për vdekje të parakohshme.
Studime të tjera po përpiqen të shpjegojnë pse aktiviteti intensiv mund të ketë një efekt të tillë.
Një nga teoritë është se ushtrimet me intensitet të lartë mund ta bëjnë sistemin imunitar më efikas në gjetjen dhe shkatërrimin e qelizave të infektuara ose jonormale.
Në një studim me 24 burra, pjesëmarrësit zhvilluan dy lloje të ndryshme stërvitjesh me pesha.
Në njërën seancë përdorën rreth gjysmën e peshës maksimale që mund të ngrinin, duke bërë seri me 12 përsëritje. Në tjetrën përdorën rreth 85 për qind të kapacitetit maksimal, me shpërthime të shkurtra deri pranë lodhjes së plotë.
Analizat e gjakut treguan se stërvitja me intensitet më të lartë shkaktoi një rritje më të madhe të disa qelizave të rëndësishme të sistemit imunitar.
Gjithashtu, studiuesit vunë re nivele më të larta të receptorëve të quajtur kemokinë, proteina që ndihmojnë qelizat imunitare të marrin sinjale kimike nga indet.
Këto sinjale u tregojnë qelizave imunitare se ku duhet të lëvizin, duke i ndihmuar ato të largohen nga qarkullimi i gjakut dhe të hyjnë në inde për të kërkuar qeliza të infektuara ose jonormale.
James Turner, profesor i asociuar i fiziologjisë së ushtrimeve dhe imunologjisë në Universitetin e Birminghamit, shpjegon se këto qeliza kanë aftësinë të largohen nga gjaku dhe të grumbullohen në zona si mushkëritë dhe zorrët, të cilat janë pika të rëndësishme hyrëse për infeksionet.
Për një kohë të gjatë është menduar se ushtrimet shumë intensive mund ta dobësojnë përkohësisht sistemin imunitar, pasi analizat e gjakut pas aktivitetit shpesh tregojnë rënie të disa qelizave imunitare.
Por sipas Turner, ky interpretim është i gabuar.
Në vend që sistemi imunitar të dobësohet, shumë prej këtyre qelizave thjesht largohen përkohësisht nga gjaku dhe zhvendosen në inde, ku mund të kërkojnë më mirë qeliza të dëmtuara, të infektuara ose jonormale.
Një tjetër studim, i publikuar në Nature Communications, sugjeron se aktiviteti intensiv mund të ndryshojë edhe mënyrën se si funksionojnë vetë qelizat imunitare.
Në studim morën pjesë 23 të rritur të shëndetshëm dhe fizikisht aktivë, të cilët kryen dy seanca të ndryshme 50-minutëshe në tapis roulant.
Njëra përfshinte vrapim të vazhdueshëm me ritëm të qëndrueshëm, ndërsa tjetra gjashtë intervale nga tre minuta vrapim intensiv, të ndjekura secila nga tre minuta aktivitet më i lehtë.
Studiuesit analizuan mijëra proteina brenda qelizave imunitare dhe zbuluan një ndryshim të madh pas stërvitjes intensive.
Pas aktivitetit me intensitet të lartë, nivelet e 1,377 proteinave ndryshuan ndjeshëm, krahasuar me vetëm 64 proteina pas ushtrimit më të moderuar.
Një prej proteinave që u rrit, SYTL2, ndihmon qelizat imunitare të çlirojnë substanca që dëmtojnë membranën e qelizave të infektuara ose jonormale dhe nxisin shkatërrimin e tyre.
Një proteinë tjetër, BST2, ndihmon në pengimin e përhapjes së grimcave të reja virale nga një qelizë e infektuar.
Ndërsa TLR1, proteinë që ndihmon sistemin imunitar të njohë mikrobet dhe të nisë një përgjigje mbrojtëse, u rrit pas ushtrimeve intensive, por ra pas stërvitjes së moderuar.
Autori kryesor i studimit, David Walzik, tha se një nga rezultatet më befasuese ishte fakti që e njëjta sasi aktiviteti shkaktoi një reagim shumë më të madh kur u krye me intensitet të lartë dhe në një kohë më të shkurtër.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se më shumë nuk do të thotë gjithmonë më mirë.
Profesori Glen Davison, specialist i shkencave të sportit dhe ushtrimeve në Universitetin e Kentit, thotë se një seancë e vështirë mund ta aktivizojë sistemin imunitar, por stërvitjet intensive të përsëritura disa ditë radhazi pa rikuperim të mjaftueshëm mund të kenë efekt të kundërt.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur aktiviteti i rëndë shoqërohet me faktorë të tjerë si mungesa e gjumit.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që personat që tashmë ndihen të sëmurë të mos përpiqen të vazhdojnë me stërvitje të rënda.
Aktiviteti fizik intensiv në një moment kur trupi po lufton një infeksion mund të shtojë stresin dhe potencialisht të zgjasë periudhën e rikuperimit.
Në përgjithësi, studimet sugjerojnë se edhe periudha të shkurtra ushtrimesh intensive mund të kenë efekte të rëndësishme në sistemin imunitar dhe shëndetin afatgjatë, por çelësi mbetet ekuilibri mes aktivitetit dhe rikuperimit.