Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se askush nuk do të mund ta njollosë historinë e luftës së UÇK-së dhe tregimin e Kosovës për liri.

Gjini ka thënë se qytetarët po i drejtohen gjithë botës, miqve që e kanë mbështetur Kosovën në vitin 1999, por edhe kundërshtarëve të saj.

“Gjithë këta njerëz i flasin gjithë botës. Sot i flasim edhe njëri-tjetrit, miqve që na kanë dëgjuar më 1999, po ju flasim edhe armiqve. Po ju flet populli i lirë i Kosovës”, ka thënë Gjini.

Ai tha se UÇK-ja kishte luftuar kundër atyre që, sipas tij, kishin kryer krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“A e dini kundër kujt kanë luftu këta, UÇK-ja? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbush kamionët me trupa të shqiptarëve. E qysh munden me pas faj një popull, njerëzit që e kanë kapur pushkën për liri kundër atyre që kanë qenë katilat më të mëdhenj në Evropë?”, u shpreh ai.

Gjini u shpreh se Kosova do ta presë edhe vendimin për ish-krerët e UÇK-së, por shtoi se, sipas tij, historia e luftës për liri nuk mund të njolloset.

“Kemi me i prit edhe tri ditë edhe 19 orë. Poshtërsia më e thellë njerëzore është që ata që e kanë kryer krimin i akuzojnë të tjerët për krime. Kurrë askush nuk ka me mbërritë me ndot tregimin tonë për liri”, deklaroi Gjini.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume