Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se gjendja globale po përkeqësohet, ndërsa luftërat po shtohen dhe po bëhen gjithnjë e më komplekse. Në një intervistë për Al Jazeera, Guterres tha se ndarjet gjeopolitike kanë paralizuar Këshillin e Sigurimit dhe kanë krijuar një situatë ku shkeljet e ligjit ndërkombëtar po ndodhin në një klimë pandëshkueshmërie.
Guterres u ndal te pasojat e konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, duke theksuar ndikimin e tyre në sigurinë ushqimore, çmimet e karburanteve dhe inflacionin në ekonominë globale. Sipas tij, ndërthurja e problemeve me eksportet e ushqimeve, plehrave dhe energjisë me vështirësitë në rrugët kryesore detare po krijon pasoja të rënda për shumë ekonomi.
SHBA dhe Kina drejt mekanizmit të njoftimit për rreziqet e IA-së ndaj sigurisë kombëtare
Kreu i OKB-së paralajmëroi gjithashtu se vendet në zhvillim po përballen me rritje të kostove të energjisë dhe ushqimeve, si dhe mungesa të plehrave bujqësore.
Guterres, mandati i të cilit përfundon më 31 dhjetor 2026, theksoi nevojën për reforma në OKB, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se struktura aktuale e këtij organi ende pasqyron kryesisht realitetin e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Kandidatura për pasardhësin e Guterres përfshin emra si Rafael Grossi, Macky Sall dhe Maria Fernanda Espinosa. Për t’u rekomanduar nga Këshilli i Sigurimit, kandidati duhet të marrë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët dhe të mos përballet me veto nga asnjë prej pesë anëtarëve të përhershëm.