Ish-deputetja e PD, Ori Nebiaj ka reaguar lidhur me shpërndarjen e disa videove intime në rrjetet sociale me protagonist kompozitorin Adi Hila, ku janë përfshirë edhe emra të njohur artistesh dhe figura te njohura publike.

Me anë të një postimi në Facebook, Nebiaj thekson se edhe pse në Shqipëri ka shumë skandale me abuzimet e detyrës, duke shpërdoruar taksat e shqiptarëve, përsëri vëmendje është tek historitë rozë.

“Dalin çështje që ngrenë pyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat tona, e megjithatë vëmendjen e harxhojmë te historitë rozë: me kë shkonte, kë kishte dashnore”, shkruan ish deputetja.

Nebiaj shkruan se problemi nuk qëndron te jeta private e personave të përfshirë, por te mënyra se si pamjet intime filmohen dhe shpërndahen pa pëlqimin e tyre.

Ish deputetja argumenton se duhet të ketë përgjegjësi penale për personat që filmojnë intimitetin e dikujt pa pëlqim, si edhe për ata që i shpërndajnë këto pamje.

“Gra që mund të jenë filmuar në intimitet pa dëshirën e tyre. Burra ordinerë, fekale të shoqërisë, që realizojnë skenarë të tillë. Duhet të ketë përgjegjësi të qartë penale për këdo që provohet se filmon intimitetin e dikujt pa pëlqimin e tij dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim. Ky është abuzim, jo argëtim”, shkruan ajo.

Postimi i plote i ish deputetes Ori Nebiaj

NGA SKANDALI NE SPEKTAKEL

Që ne jemi një popull i frustruar seksualisht, kjo s’ka diskutim! Sa herë del një «skandal» me video intime, etja për t’i parë na zjen gjakun. Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje. Neveritëse.

Gra që mund të jenë filmuar në intimitet pa dëshirën e tyre. Burra ordinerë, fekale të shoqërisë, që realizojnë skenarë të tillë. Duhet të ketë përgjegjësi të qartë penale për këdo që provohet se filmon intimitetin e dikujt pa pëlqimin e tij dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim. Ky është abuzim, jo argëtim.

Qejf i madh, histeri nëpër telefona, ndërsa videot kalojnë nga njëri te tjetri. Akoma na bën çudi që njerëzit kanë jetë intime.

Dalin çështje që ngrenë pyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat tona, e megjithatë vëmendjen e harxhojmë te historitë rozë: me kë shkonte, kë kishte dashnore.

Dhe, si gjithmonë, fatura e turpit i shkon gruas së pari. Burri mund të jetë pjesë e së njëjtës histori, por ajo bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve. Ky është morali ynë me dy standarde: kur duhet të kërkojmë llogari, bëhemi spektatorë; kur duhet të respektojmë privatësinë, bëhemi prokurorë.

Po e mbyll duke përmendur një emër,

ADRIAN HILA.
Çfarë perversiteti ordiner. Burg për këdo i ka shpërndarë videot, si dorë e parë e e si dorë e dytë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume