Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës në Nju Jork, zhvilloi disa takime bilaterale me përfaqësues të lartë, në të cilat u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.

Kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksander Stubb, me të cilin bisedoi për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Në takim u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt.

Në fokus të takimit bilateral me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishin avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.

Kryetari i Qeverisë Mickoski zhvilloi takim bilateral edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në të cilin u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Mickoski zhvilloi gjithashtu takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në të cilin u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Takimet në Nju Jork konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.

Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume