Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, gjatë një takimi sekret të dielën, të mohojë një raport sipas të cilit ai e kishte paralajmëruar Netanyahun për një sulm të afërt të Hamasit para 7 tetorit të vitit 2023, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës izraelite Haaretz, e cila citoi burime të paidentifikuara, Netanyahu i kërkoi bin Zayed-it të mohonte raportimet lidhur me bisedën e tyre telefonike dhe detajet rreth ngjarjeve para 7 tetorit, të cilat “mund ta vënë atë në siklet”.

Kryeministri izraelit gjithashtu i kërkoi presidentit të Emirateve atë që një burim e përshkroi si “mbështetje morale”.

Sipas dy personave të informuar për udhëtimin, Netanyahu zhvilloi një takim njëorësh me bin Zayed-in.

Autoritetet izraelite dhe ato të Emirateve nuk e kishin konfirmuar zyrtarisht vizitën e raportuar.

Raportimi erdhi në mes të polemikave lidhur me një seri zbulimesh mediatike për paralajmërimet e inteligjencës që, sipas pretendimeve, Netanyahu kishte marrë përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.

Të premten, The New York Times raportoi se Netanyahu kishte marrë një paralajmërim konfidencial nga presidenti i Emirateve para sulmit të Hamasit, por nuk ua kishte përcjellë atë drejtuesve të shërbimeve të sigurisë së Izraelit.

Netanyahu ka drejtuar qeverinë aktuale të Izraelit që nga fundi i vitit 2022. Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Që nga 8 tetori i vitit 2023, lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74.000 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 175.000 të tjerë, shumica e tyre gra dhe fëmijë, ndërsa ka dëmtuar 90 për qind të infrastrukturës së territorit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume