Sylvester Stallone rrëfen anën e errët të transformimit për “Rocky”: Steroide, bulimi dhe dhjetëra ndërhyrje
Sylvester Stallone ka folur hapur për çmimin e lartë që ka paguar për fizikun ekstrem që e shndërroi në një nga ikonat më të njohura të kinemasë aksion.
Aktori 80-vjeçar, i famshëm për rolet në “Rocky” dhe “Rambo”, ka rrëfyer se pas imazhit të heroit muskuloz fshihej një betejë e vazhdueshme me peshën, ushqimin dhe presionin për ta mbajtur trupin në formë ekstreme.
Në një intervistë për “The New York Times”, Stallone tregoi se gjatë përgatitjeve për “Rocky III” kishte arritur në rreth 2.6 për qind yndyrë trupore.
Sipas tij, dëshira për ta ruajtur atë fizik u kthye gradualisht në obsesion.
“U bëra bulimik”, ka rrëfyer Stallone, duke pranuar se në atë periudhë marrëdhënia e tij me ushqimin dhe peshën ishte bërë gjithnjë e më problematike.
Aktori foli gjithashtu për përdorimin e steroideve gjatë përgatitjeve fizike.
Ai tha se i përdorte në cikle gjashtëjavore, të ndjekura nga gjashtë javë pushim, duke pranuar se kjo mënyrë jetese i shkaktoi pasoja serioze trupit.
Vetëm vite më vonë, Stallone thotë se e kuptoi më qartë çmimin e këtij obsesioni.
Një nga momentet kur kjo u bë veçanërisht e dukshme ishte gjatë xhirimeve të filmit “Cop Land”, ku duhej të paraqitej me një fizik dukshëm më ndryshe nga ai që publiku ishte mësuar ta shihte te Rocky.
Aktori zbuloi se gjatë viteve i është nënshtruar nëntë ndërhyrjeve në shpinë, dy operacioneve në shpatulla dhe tri ndërhyrjeve në qafë.
Sipas tij, përpjekja për ta mbajtur trupin vazhdimisht në një gjendje ekstreme i kushtoi shumë në aspektin fizik.
Rrëfimi i Stallone vjen në prag të filmit “I Play Rocky”, i cili trajton historinë e realizimit të filmit të parë “Rocky” dhe pritet të shfaqet në kinema gjatë muajit nëntor.