Tetovë – SHMK Gjimnazi i Dytë “7 Marsi” në Tetovë do t’i bashkohet shënimit të 10 Tetorit – Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, duke organizuar një sërë aktivitetesh me moton “Kujdesemi për veten dhe njëri-tjetrin” informon Tetovasot .
Psikologia e shkollës Maki Sherifi bëri të ditur se aktivitetet do të zhvillohen në bashkëpunim me Odën e Psikologëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit mendor te nxënësit dhe stafi arsimor.
Në kuadër të kësaj dite do të organizohen disa iniciativa, mes tyre “Pema e Mbështetjes”, ku nxënësit do të kenë mundësi të shkruajnë mesazhe inkurajuese, kutia anonime “Më dëgjo”, e cila do t’u ofrojë hapësirë të sigurt nxënësve për të ndarë shqetësimet e tyre, si dhe mini-biseda nëpër klasa, ku do të trajtohen tema si stresi, ankthi, cilësia e gjumit, bullizmi, ndikimi i rrjeteve sociale dhe rëndësia e kërkimit të ndihmës profesionale.
Sherifi thekson se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik dhe fton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit të bëhen pjesë e aktiviteteve, me synim krijimin e një ambienti më mbështetës dhe më të sigurt për të gjithë.
Drejtori Ismail Vlashi tha se institucioni që drejton i bashkohet nismës mbarëkombëtare të Odës së Psikologëve: Reflektim dhe mbështetje për shëndetin mendor
Më datë 8 dhe 9 tetor 2026, me fillim në orën 10:10, shkolla do t’i bashkohet nismës mbarëkombëtare të organizuar nga Oda e Psikologëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë këtyre ditëve, mësimi i rregullt do të ndërpritet për vetëm 10 minuta. Kjo kohë do t’i përkushtohet reflektimit të nxënësve përmes tri pyetjeve udhëzuese:
Çfarë më ngarkon më shumë kohët e fundit?
Çfarë më ndihmon?
Nga kush mund të kërkoj mbështetje?
”Një orë pa rol” – Mbështetje për ata që kujdesen për të tjerët
Përmes motos “Kujdeset kush për ata që kujdesen për të tjerët?”, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe mësimdhënësve dhe stafit të shkollës. Qëllimi kryesor është promovimi i kujdesit ndaj vetvetes dhe parandalimi i burnout-it (mbingarkesës emocionale).
Të gjitha aktivitetet e realizuara në klasa, korridore apo hapësira të tjera të shkollës do të dokumentohen me fotografi. Këto materiale do të dërgohen për t’u publikuar në hartën ndërvepruese të Odës së Psikologëve.
Ky varg aktivitetesh realizohet për herë të parë në këtë format, ndërsa shkolla është përzgjedhur mes institucioneve të privilegjuara nga Oda e Psikologëve të RMV-së. Drejtuesit e shkollës ftojnë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit të japin kontributin e tyre për realizimin me sukses të kësaj nisme me rëndësi të veçantë.
Organizimi:
Drejtor: Ismail Vlashi
Psikologe / Organizatore: Makfire Sherifi
Në bashkëpunim me: Odën e Psikologëve të RMV-së.












