„Është në interesin tonë më të lartë shtetëror krijimi i koalicioneve të forta të sigurisë, përmes të cilave do të mundësojmë një përpjekje të përbashkët globale më të fuqishme në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të rëndë. Nga korriku i vitit 2024 e deri më sot, Drejtoria e Doganave ka parandaluar hyrjen e 246 migrantëve të paligjshëm, kryesisht nga Egjipti, Sudani, Pakistani, Irani, Iraku dhe Siria.
Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe kemi forcuar ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar. Këto fakte nuk dëshmojnë vetëm për rolin tonë në mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe në mbrojtjen e kufijve të vendeve të BE-së, përmes veprimit në kohë dhe të koordinuar“, theksoi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, në takimin e sotëm operativ të Grupit të Përbashkët për Migracionin, të organizuar nga Byroja për Siguri Publike.
Në këtë drejtim, Nikollovski theksoi se shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar kanë rëndësi të veçantë dhe siç nënvizoi ai, ky bashkëpunim është përmirësuar ndjeshëm, gjë që dëshmohet edhe nga rezultatet konkrete. Ai theksoi se vetëm gjatë këtij viti, ekipet mobile doganore dhe njësitë K9, në kuadër të Sektorit për Punë Operative, kanë asistuar në 41 aksione të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
„Shkëmbimi i informacionit, profilet e përbashkëta të rrezikut dhe veprimi i koordinuar janë mjete përmes të cilave mund ta identifikojmë rrezikun shumë më herët, madje përpara se ai të mbërrijë në kufirin tonë.
Jam dakord se deri më tani është arritur shumë, por mundemi dhe duhet të bëjmë edhe më tepër, sepse krimi nuk ndalet, nuk pret dhe nuk njeh kufij. Mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet dhe të përmirësojmë bashkëpunimin e deritanishëm, me qëllim përballimin efikas të migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu, do të vazhdojmë të forcojmë besimin dhe bashkëpunimin operacional me MPB-në dhe BPS-në, me Prokurorinë Publike, si dhe me administratat doganore dhe institucionet e sigurisë në rajon“, deklaroi Nikollovski.
Në takim u evidentua përparimi i vendit tonë në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë, ndër të cilat janë trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabandimi i migrantëve. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kohën kur vendi ndodhet në procesin e integrimit evropian.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume