Shkup, 23 tetor 2026 – Ministri Agon Ferati dhe Ambasadorja e Rumanisë, Adela Monica Axinte diskutuan gjatë një takimi miqësor avancimin e bashkëpunimit bilateral në raport me mbrojtjen e të drejtave të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut si dhe ruajtjen e traditave, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë së bashkësisë vllehe në vend. Bashkëbiseduesit i vlerësuan lartë marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndër vite si dhe partneritetin e dy vendeve mike dhe aleate në Aleancën Veri-Atlantike si dhe gatishmërinë e Rumanisë për ta ndarë përvojën e saj të përafrimit me Bashkimin Evropian.

Ministri Ferati e njoftoi ambasadoren Axinte për punën e ministrisë, ndërtimin e mirëbesimit, promovimin e vlerave dhe të bashkëpunimit e të aktiviteteve të ndryshme, veçanërisht me të rinjtë. Ai theksoi se, edhe pse ka marrë udhëheqjen e ministrisë vetëm para tre muajsh, është shënuar përparim i dukshëm në disa fusha, përfshirë edhe në bashkëpunimin me mediat me qëllim uljen e tensioneve dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes.

Ambasadorja e Rumanisë shprehu kënaqësinë për punën e ministrisë, por edhe brengosje për numrin e ulët të nxënësve të bashkësisë vllehe që ndjekin mësim në gjuhën e tyre amtare edhe për shkak të numrit të vogël të mësimdhënësve. Ministri e siguroi ambasadoren se do të mirëpresë propozime nga ambasada e Rumanisë, bashkësia vllehe, si dhe nga shoqëria civile me qëllim inkurajimin e fëmijëve vllehë për ta mësuar gjuhën amëtare dhe për të promovuar kulturën dhe traditat e kësaj bashkësie etnike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume