Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln është kthyer në portin e saj në San Diego, pas 322 ditësh në mision, një nga dislokimet më të gjata të një aeroplanmbajtëseje amerikane që nga Lufta e Vietnamit.

Gjatë këtij misioni, rreth 5,000 anëtarët e ekuipazhit u përballën me muaj të tërë operacionesh luftarake, vështirësi në furnizime, raportime për racionim të ushqimit dhe presion të fortë psikologjik.

Familjarët dhe miqtë e marinarëve u mblodhën që në orët e para të mëngjesit në portin e San Diegos, duke pritur kthimin e të afërmve të tyre me flamuj amerikanë, pankarta dhe banderola mirëseardhjeje. Për shumë prej tyre, ky moment shënoi fundin e muajve të ankthit dhe të komunikimit të kufizuar me familjarët që ndodheshin në det.

Sipas The New York Times, për disa familje kishte kaluar edhe më shumë se një javë pa marrë lajme nga marinarët. Nëna e një anëtari 20-vjeçar të ekuipazhit tregoi se përpiqej ta mbështeste të birin përmes mesazheve inkurajuese dhe fragmenteve nga Bibla.

Një nga momentet më emocionuese ishte ribashkimi i baballarëve me fëmijët e tyre të porsalindur. Sipas traditës së Marinës Amerikane, ndër të parët që zbarkojnë janë marinarët që janë bërë prindër gjatë misionit. Mes tyre ishte 21-vjeçari Eduardo Morales, i cili takoi për herë të parë djalin e tij pesëmuajsh, Emmanuel. Bashkëshortja e tij, Lenia Morales, tha se kishte qenë veçanërisht e vështirë të përballonte e vetme lindjen dhe muajt e parë të jetës së foshnjës.

Misioni i USS Abraham Lincoln nisi më 21 nëntor 2025, përpara fillimit të luftës me Iranin. Aeroplanmbajtësja kaloi gati një muaj në det përpara se të ndalonte për një periudhë të shkurtër në bazën detare në Guam, për furnizim me karburant.

Vështirësitë me furnizimet u përkeqësuan pas sulmit iranian ndaj qendrës kryesore të mbështetjes së Marinës Amerikane në Manama të Bahreinit, menjëherë pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt.

Me raketat balistike iraniane që kërcënonin portet në rajon, anijet luftarake amerikane u përballën me probleme në furnizimin me ushqime, karburant dhe materiale të tjera. Për këtë arsye, Marina Amerikane u detyrua të zhvendoste qendrën kryesore të furnizimit në Diego Garcia, një territor britanik në Oqeanin Indian, rreth 2,200 milje larg.

Shenjat e para të vështirësive u bënë publike përmes familjarëve të marinarëve, të cilët u dërguan gazetarëve fotografi të racioneve të kufizuara ushqimore. Disa familje u përpoqën të dërgonin pako me ushqime dhe artikuj të tjerë, por shumë prej tyre humbën, u shkatërruan ose mbërritën me muaj vonesë.

Megjithatë, komandanti i aeroplanmbajtëses, kapiten Daniel J. Keller, deklaroi pas kthimit se anija kishte pasur ushqime dhe furnizimet e nevojshme për të vijuar operacionet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume