Një organizatë joqeveritare ka ngritur alarmin për shfrytëzimin e fëmijëve për lypje në Ohër dhe Strugë, duke shprehur dyshime edhe për shfrytëzim seksual të vajzave të mitura.
Sipas Ilija Jovanoviqit nga organizata “Gradime Idnina”, në Ohër lypin rreth 20 deri në 30 persona, përfshirë foshnja dhe fëmijë nga mosha tre deri në 15 vjeç. Në Strugë, numri vlerësohet nga 15 deri në 30 persona.
Jovanoviq pretendon se fëmijët dërgohen në mënyrë të organizuar nga qytete të ndryshme, përfshirë Tetovën, Gostivarin, Manastirin, Prilepin dhe Kërçovën. Sipas tij, ata qëndrojnë deri në tetë orë në rrugë, ndërsa fitimet ditore nga lypja mund të arrijnë në 3.000–5.000 denarë. Pjesën më të madhe të parave, sipas tij, e marrin personat që i kontrollojnë, ndërsa fëmijëve u mbeten vetëm 10 deri në 30 denarë.
Organizata thotë se për rastet janë njoftuar policia dhe shërbimet sociale. Ajo kërkon masa afatgjata për mbrojtjen e fëmijëve, përfshirjen e tyre në arsim dhe hapjen e qendrave ditore.
Dyshimet për shfrytëzim seksual dhe dhunë ndaj të miturve ende kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.