Një objekt me konstruksion hekuri, me përmasa 6 me 8 metra dhe lartësi prej 6 metrash, është konstatuar në fshatin Kallisht, në vendin e quajtur “Sokolect”. Pas denoncimit në polici për ndërtim pa dokumentacion përkatës dhe dyshime për vjedhje të energjisë elektrike, institucionet kanë dalë në terren.

Sipas informacionit zyrtar të SPB Tetovë, më 28 tetor 2026, në orën 12:55, një qytetar anonim ka denoncuar se në këtë lokacion një person i panjohur kishte ndërtuar një objekt pa dokumentacion përkatës.

Pas denoncimit, është realizuar një inspektim i përbashkët në terren nga një inspektor i autorizuar i ndërtimit nga Komuna e Vrapçishtit dhe zyrtarë të Zyrës së Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar.

Gjatë inspektimit është konstatuar se bëhet fjalë për një objekt të montueshëm me konstruksion hekuri, me përmasa 6×8 metra dhe lartësi prej 6 metrash, si dhe një tarracë betoni me përmasa 6×4 metra.

H.A. (35) deklaron se objekti është ndërtuar në gusht, pronar figuron babai i tij, Sh.A. (61)

Sipas deklaratës së H.A. (35), nga fshati Kallisht, me vendbanim në fshatin Vrapçisht, objekti është ndërtuar gjatë muajit gusht të vitit 2026. Si investitor dhe pronar i objektit figuron babai i tij, Sh.A. (61), nga fshati Vrapçisht.

Tashmë, mbetet që institucionet kompetente të përcaktojnë nëse ndërtimi është kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nëse do të ndërmerren masa ligjore ndaj investitorit.

EVN nuk konfirmon vjedhje të energjisë elektrike

Sa i përket dyshimeve për vjedhje të energjisë elektrike, ekipi kujdestar i EVN-së, i cili ka dalë në terren, ka konstatuar se kablloja e vendosur në objekt nuk ka tension elektrik. Sipas raportit, bëhet fjalë për përgatitje paraprake për instalim, prandaj pretendimet për vjedhje të energjisë elektrike nuk janë konfirmuar.

Nga Komuna e Vrapçishtit po vazhdojnë procedurat për përcaktimin e statusit juridik të objektit dhe ndërmarrjen e veprimeve përkatëse në përputhje me rregulloret e ndërtimit.

Çështja tashmë është në duart e institucioneve kompetente, të cilat duhet të sqarojnë ligjshmërinë e objektit dhe të veprojnë në përputhje me ligjin, nëse konstatohen shkelje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume