BOZHINOVSKA: INOVACIONET DHE TEKNOLOGJITË E REJA JANË KYÇE PËR NJË SISTEM ENERGJETIK MË TË SIGURT DHE NJË EKONOMI MË KONKURRUESE
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot hapi
Panairin e Energjisë, Teknologjisë dhe Inovacionit “ENERGO TEHNOMA 2026”, duke
theksuar se tranzicioni energjetik kërkon planifikim strategjik, investime të reja,
modernizim të infrastrukturës dhe zbatim të zgjidhjeve inovative teknologjike.
Në fjalimin e saj, Bozhinovska theksoi se energjetika sot është shumë më tepër se
prodhimi dhe furnizimi me energji elektrike – ajo lidhet drejtpërdrejt me
konkurrueshmërinë ekonomike, sigurinë energjetike, zhvillimin teknologjik dhe cilësinë e
jetës së qytetarëve.
„Vendimet që marrim sot në sektorin energjetik do të ndikojnë në ekonominë e së
nesërmes, në qëndrueshmërinë tonë ndaj krizave globale dhe në mundësitë që do t’u
lëmë brezave të ardhshëm”, theksoi ministrja.
Ajo theksoi se tranzicioni i suksesshëm energjetik nuk nënkupton vetëm ndryshimin e
burimeve të energjisë, por edhe modernizimin e rrjetit, rritjen e efiçiencës energjetike,
digjitalizimin, magazinimin e energjisë dhe futjen e sistemeve inteligjente të menaxhimit.
Bozhinovska theksoi se vendi ka potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e burimeve
të ripërtëritshme të energjisë, veçanërisht energjisë diellore, të erës dhe asaj hidrike.
Për shfrytëzimin e plotë të këtij potenciali, nevojiten investime paralele në infrastrukturë
dhe në teknologjitë që do të sigurojnë funksionimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të
sistemit energjetik.
Ajo vuri theks të veçantë te roli i inovacionit, teknologjive digjitale, automatizimit dhe
inteligjencës artificiale në përmirësimin e proceseve industriale, uljen e konsumit të
energjisë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve.
„Vlera e vërtetë e inovacionit shihet kur dija shndërrohet në zgjidhje konkrete – kompani
më efikase, shërbime më të mira, investime të reja dhe cilësi më të lartë jetese për
qytetarët”, theksoi Bozhinovska.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes më të ngushtë mes arsimit, shkencës,
industrisë dhe institucioneve, me qëllim që të rinjtë të kenë më shumë mundësi për
zbatimin praktik të njohurive, pjesëmarrjen në projekte zhvillimore dhe përparimin
profesional në vend.
„Si Ministri, mbetemi të përkushtuar për krijimin e një kornize rregullatore të
qëndrueshme dhe të parashikueshme, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e një sektori
energjetik që do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe bizneseve dhe do të
kontribuojë në integrimin evropian të vendit”, theksoi Bozhinovska.
Ajo shtoi se rezultatet e tranzicionit energjetik duhet të vlerësohen jo vetëm përmes
projekteve të realizuara dhe kapaciteteve të instaluara, por edhe përmes sigurisë së
furnizimit, konkurrueshmërisë së industrisë, shfrytëzimit më efikas të burimeve dhe
mundësive të reja për brezat e ardhshëm.
Me hapjen e “ENERGO TEHNOMA 2026” u theksua rëndësia e bashkëpunimit të
vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, sektorit të biznesit, komunitetit shkencor dhe të
rinjve për krijimin e një sektori energjetik modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues.





